E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr për parakalimin, plagoset me çifte

Grinden për parakalimin e makinës, qëllon bashkëfshatarin me çifte gjahu. Një 42-vjeçar është plagosur rëndë, ndërsa një tjetër është shpallur person në kërkim nga Policia e Kukësit. Ngjarja ka ndodhur pak pas mesditës së djeshme, kur Emerli Murtati, 44 vjeç nga qyteti i Kukësit dhe Hebib Aliaj, 42 vjeç nga fshatrat e Kukësit, të dy drejtues mjetesh, janë grindur në rrugën e Bicajve, pak më shumë se 1 km larg qytetit. Gjatë parakalimit të automjeteve, ata kanë gërvishtur llamarinat e makinave. Kaq ka mjaftuar për të shpërthyer sherri dhe Murtati të marrë armën e gjahut, një çifte që ai e mbante me vete në makinë dhe e ka qëlluar nga një distancë e afërt duke e plagosur rëndë 42-vjeçarin, të cilin e kishte mik. Dëshmitarët nga vendi i ngjarjes kanë pohuar se në fillim dy shoferët janë grindur mes tyre deri në një shesh ndërtimi aty afër vendit të përplasjes. Autori Murtati pas kryerjes së krimit është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes në drejtim të paditur, duke iu shmangur policisë. Burime nga policia lokale kanë pohuar se ngjarja ka ndodhur në hyrje të Kukësit pak pas mesdite, në afërsi të garnizonit të FNSH-së, më saktë 200 metra larg repartit. Kanë qenë krismat e armës që kanë alarmuar efektivët e ndërhyrjes së shpejtë, nga ku disa policë kanë vrapuar në drejtim të vendit ku ishte kryer krimi. Ata nuk kanë mundur të kapin autorin, por kanë ndihmuar viktimën, duke e dërguar shumë shpejt në spitalin e Kukësit, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje të gjatë kirurgjikale. Mësohet se viktima ishte plagosur rëndë në pjesën e poshtme të trupit dhe në të dyja këmbët. Nga ana tjetër, një ekip i gatshëm i Komisariatit të Kukësit është vënë menjëherë në veprim, duke këqyrur vendin e ngjarjes, nga ku përveç fotografive kanë siguruar, siç mësohet, edhe gëzhojën e armës. Policia e Kukësit ka vazhduar krehjen e zonës në kërkim të autorit të identifikuar, por deri në orët e mbrëmjes nuk është bërë i mundur arrestimi i tij. Nga ana tjetër, ende nuk është mësuar nëse arma e krimit ishte një çifte që autori e mbante me leje apo jo. Agresori dhe viktima kanë qenë shoferë furgonësh të linjave të brendshme, të cilët, sipas burimeve jo zyrtare, ishin edhe miq mes tyre. Mësohet se sherri ka nisur për shkaqe banale, ndërkohë që policia ka ngritur çështjen penale dhe po hetohet për të zbardhur rrethanat e krimit dhe gjithçka tjetër që lidhet me të. Në më pak se 24 orë kjo është ngjarja e dytë kriminale e ndodhur në Qarkun e Kukësit që ka tronditur opinionin lokal. Dy ditë më parë, në Tpla të Hasit, 55-vjeçari Beqir Rada qëlloi me armë automatike kallashnikov bashkëfshatarin e tij Idriz Ferizollin 53 vjeç. Konflikti e ka pasur origjinën në problemet e pronësisë. Për pasojë, Idriz Ferizolli u plagos rëndë në pjesën e kokës dhe në njërën këmbë. Burime të policisë bëjnë të ditur se konflikti kishte si pikënisje një mosmarrëveshje për kufirin ndarës të arës së tyre. Agresori kishte qëlluar mbi 53-vjeçarin dhe vetëm pas një ore është arrestuar nga policia lokale. I plagosuri është dërguar në spitalin e Kukësit, ku ka marrë mjekimin e parë, por më pas është dërguar për në Tiranë, për trajtim më të specializuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›