E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet shkaktojnë tre viktima


Tre persona kanë humbur jetën, dhe një tjetër ka mbetur i plagosur për pasojë të tre aksideneve të shënuara në Lezhë, Korçë dhe superstradën Fushë Krujë- Laç.

Dy të rinj mbetën të vdekur në një aksident të shënuar rreth orës 21:00 të së premtes në fshatin Fishtë, në rrugën e Vjetër që lidh Lezhën me Vaun e Dejës.

Lek Gjoni, 27 vjeç dhe Ermir Kuka, 26 vjeç ishin duke udhëtuar me motor në kohën kur drejtuesi humbi kontrollin e mjetit dhe dolën jashtë saj.

Dy të rinjtë janë përplasur fillimisht me një bordurë dhe më pas në asfalt.

Megjithë ndihmën e parë të banorëve të zonës, dy të rinjtë nuk mundën të mbijetojnë dhe për pasojë të plagëve të rëndë ndërruan jetë.
Gjoni dhe Kuka kishin marrë plagë të rënda në kohë dhe gjithë trupin.
Policia që bëri ekspertizën në vendin e ngjarjes mbërriti në përfundimin se shkak për aksidentin është bërë humbja e kontrollit të motorrit për shkak të shpejtësisë.
Në harkun e 2 ditëve në qarkun e Lezhës kanë mbetur të vdekur në aksidente me motor tre persona
Ndërkaq, një 42 vjeçar ka mbetur viktimë e piratëve të rrugës në aksin Korcë- Ersekë.
Viktima u identifikua si Adriatik Gallo, që udhëtonte me biçikletë në kohën kur është goditur nga një automjet.
Duke përfituar nga rrethanat, drejtuesi i automjetit është larguar nga vendi i ngjarjes dhe e ka lënë viktimën në rrugë.
Policia e Korçës ka nisur hetimet për identifikimin e autorit dhe arrestimin e tij.
Ndërkaq, një autobot për transportimin e naftës ka dalë nga rruga dhe ka përnduar në kanal buzë superstradës Fushë Krujë -Laç. Fatmirësisht aksidenti nuk shkaktoi viktima, dhe drejtuesi i mjetit mori tronditje të lehtë.
Policia thotë paraprakisht se shkak për aksidentin mund te jetë bërë lodhja e shoferit të mjetit dhe pagjumësia.
Edhe ky aks është një prej më problematikëve për numrin e lartë të aksidenteve që shënohen .

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›