Aksidentet sjellin dy viktima dhe pesë të plagosur
Dy persona të vdekur dhe pesë të plagosur janë shënuar nga aksidentet rrugore në Vlorë, Elbasan dhe Korçë. Aksidenti më i rëndë është shënuar në fshatrat e Vlorës, ku një i ri ka humbur jetën, ndërsa tre të tjerë janë plagosur. Sipas të dhënave, ngjarja ndodhi dje në mesditë, në afërsi të segmentit rrugor në fshatin Ceprat. Katër të rinjtë nga Llakatundi udhëtonin drejt Vlorës, ndërkohë që shkak është bërë shpejtësia. Mjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një pemë. Si pasojë e përplasjes ka vdekur 22-vjeçari Ervis Danaj. Tre të rinjtë e tjerë i kanë transportuar drejt spitalit rajonal të Vlorës. Mjekët thanë se gjendja e tyre është e rëndë. Ndërsa në Elbasan, një 31-vjeçar është dërguar pa jetë në spital, pas një aksidenti me traktorin e tij. Fluturim Myrta, 31 vjeç, banues në fshatin Lleshan, është dërguar në spital nga të afërmit, të cilët kanë treguar se aksidenti kishte ndodhur rreth orës 18:00 në fshatin Lleshan, ku është rrëzuar mjeti dhe e ka zënë poshtë. Ndërkaq, një mjet me targa greke që udhëtonte në drejtim të Korçës ka dalë nga rruga dhe për pasojë janë plagosur dy persona. Aksidenti ka ndodhur dje rreth orës 15:10, në rrugën nacionale Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit Vashtmi. Blerim Laze, 29 vjeç, dhe shoku i tij, Erjon Nuriu, 28 vjeç, të dy nga fshati Ravonik, janë transportuar drejt spitalit civil të Korçës, me plagë të rënda. Policia që ka shkuar në vendin e ngjarjes, ka përcaktuar si shkak çarjen e gomës së parë të mjetit, ndërsa ka qenë duke lëvizur me shpejtësi në rrugë nacionale. Mjeti me targa greke ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, duke përfunduar në një arë, ndërsa për shkak të trajektores së përshkuar dhe kanalit ka pësuar dëmtime të shumta, deri në plagosjen e dy pasagjerëve. Sipas policisë, të dëmtuarit janë jashtë rrezikut për jetën.
#