PD e shtyn Këshillin Kombëtar për në shtator
Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike pritet të mblidhet vetëm në fillim të muajit shtator. Burime pranë PD-së bëjnë të ditur se vijimi i pritshëm i negociatave mes palëve për zgjidhjen e ngërçit politik në vend pritet të jetë edhe një arsye më shumë për ta shtyrë këtë mbledhje pas muajve të verës. Nga ana tjetër, mbledhja e më shumë se 100 anëtarëve të këshillit brenda muajve të verës pritet të mos jetë e lehtë dhe për këtë arsye shtyrja e mbajtjes së këshillit vjen edhe si një nevojë praktike. Në këtë mënyrë pritet që PD të mos bëjë brenda këtyre muajve edhe zgjedhjen e kryesisë së re të saj dhe sekretariatit. Vijimi i shtyrjeve të mbledhjes së këtij forumi të lartë, përmes të cilit pritet të zgjidhet kryesia e re e demokratëve, ka nisur prej dhjetorit të vitit të kaluar. Fillimisht kreu i qeverisë, njëkohësisht kryetari i PD-së, Berisha, theksoi se ky forum do të mbahej në janar dhe më pas në shkurt, por deri tani mbledhja e tij për një arsye ose tjetrën nuk ka qenë e mundur. Sipas statutit të PD-së, do të jetë kryetari i partisë, Sali Berisha, personi i cili do t’i paraqesë Këshillit Kombëtar edhe listën me 38 kandidatura, mes të cilave anëtarët e këtij këshilli do të zgjedhin me votim të fshehtë 25 anëtarët e kryesisë së re të demokratëve. Po kështu, sipas statusit, të drejtën për t’u bërë propozime e ka edhe vetë ky këshill, kryesia e PD-së, kryesitë e degëve, dhe jo më pak se 15% e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar me të drejtë vote, të shpërndarë në të paktën pesë degë të PD-së. Përveç çështjeve teknike të mënyrës së përcaktimit të kandidaturave, demokratët bëjnë gjithashtu të ditur se favoritë për të qenë pjesë e kryesisë janë edhe 30 emrat e parë më të votuar të Këshillit Kombëtar. Nga një vëzhgim i shpejtë i emrave, vihet re se emrat e rinj mes më të votuarve në këshill janë ato të deputeteve demokrate, Mesila Doda dhe Rajmonda Bulku; është prefekti i Tiranës, Keltis Kruja dhe zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli. Gjithsesi, përveç emrave favoritë, gara për kryesinë e re të demokratëve pritet të ofrojë edhe surprizat e saj, nisur edhe nga deklaratat e Kryeministrit Berisha se rinovimi i strukturave është një politikë që PD do ta ndjekë në këto zgjedhje. Po kështu, rinovimi dhe shtimi i posteve pritet të ndodhë edhe në sekretariatin e Partisë Demokratike. Por duket se asnjë ndryshim nuk do të ketë në emrat kryesorë të kryesisë aktuale dhe emrat që mbajnë postet e sekretarit të Përgjithshëm dhe dy nënkryetarëve demokratë. Kjo pritet të ndodhë edhe për faktin se PD nuk pranoi përgjatë mbajtjes së Kuvendit Kombëtar të saj ndarjen e posteve në qeveri nga ato partiake. Nga ana tjetër, pritet që të shtohen edhe dy poste sekretarësh në parti, duke vendosur për herë të parë edhe sekretarin e çështjeve zgjedhore dhe po kështu atë politik. Por ndonëse nuk priten surpriza për sa i përket ndryshimit të lidershipit aktual të PD-së, gara do të jetë e pranishme në secilin nga pozicionet dhe shfaqja e emrave të rinj nuk do të mungojë.
#