"Dezhavu" te Fusha e Aviacionit, grabitet me armë çifti i radhës
I njëjti mekanizëm, i njëjti vend, vetëm dy ditë më vonë, është përdorur për të grabitur një tjetër çift pranë ish-Fushës së Aviacionit në Tiranë. Dy persona, të armatosur dhe me maska, i kanë dalë para një çifti tjetër, duke u marrë paratë dhe celularët që mbanin me vete, ndërkohë që policia ka rinisur punën nga e para për identifikimin e tyre. Burimet e policisë së Tiranës bënë të ditur se dy net më parë, rreth orës 18:30, tek ish-Fusha e Aviacionit, dy persona të paidentifikuar kanë vjedhur me armë Florian H., 30 vjeç, banues në Tiranë. Sipas denoncimit të tij, grabitësit i kanë marrë 18 mijë lekë dhe 3 celularë. I dëmtuari deklaroi për uniformat blu se ka qenë me një të njohurën e tij, kur përpara i kanë dalë dy persona, të cilët kanë qenë të armatosur. Ai ka shpjeguar se po lëvizte në drejtim të Fushës së Aviacionit dhe sapo kishte kaluar rrugën e asfaltuar. Aty, personat që mbanin një automatik, i kanë kërcënuar, duke u kërkuar paratë. 30-vjeçari tregoi se ka nxjerrë lekët, dy celularët e tij dhe celularin e femrës që e shoqëronte. Pasi ata kanë marrë paratë janë larguar me shpejtësi, duke shfrytëzuar edhe errësirën. Më tej, 30-vjeçari ka shkuar në komisariatin nr. 2, duke denoncuar se çfarë i kishte ndodhur. Policia është vënë në lëvizje, por si në rastin e ditës së shtunë, ende nuk ka rënë në gjurmët e grabitësve. Policia dyshon se janë të njëjtit persona që kryejnë këto grabitje dhe që mund të jenë banorë të zonës.