E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitësit plagosin një tregtare e i vjedhin çantën

Një tregtare ka rënë pre e grabitësve sapo kishte dalë nga tregu dhe kishte marrë rrugën për në shtëpi. Ajo nuk ka pranuar të lëshojë çantën, të cilën ia kanë tërhequr me forcë dhe për këtë arsye është goditur me levë pas koke, duke i shkaktuar plagosje të rëndë. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se ngjarja e rëndë ka ndodhur dje pasdite, ndërkohë që menjëherë ka nisur puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Sipas të dhënave policore, Valentina Danaj, 30 vjeçe, punon si shitëse te tregu i Medresesë. Dje pasdite, ajo ka mbyllur dyqanin dhe duke dalë nga rrugicat e tregut është përballur me një djalë të ri, i cili ka tentuar t‘i heqë çantën që mbante në dorë. Por ajo e ka kundërshtuar këtë gjë dhe menjëherë i ka ardhur një goditje nga mbrapa, në kokë, duke e lënë gjysmë pa ndjenja. Në këto kushte, grabitësi, i cili mendohet të ketë qenë i shoqëruar edhe me persona të tjerë, ka marrë çantën dhe është larguar me shpejtësi. Disa tregtarë, të cilët kanë kaluar në vendin ku ka ndodhur grabitja, kanë parë kolegen të gjakosur dhe i kanë ofruar ndihmën e parë, duke e dërguar me urgjencë te spitali "Nënë Tereza", që ndodhet jo shumë larg. Më pas, është njoftuar edhe policia dhe në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e komisariatit nr. 4, por edhe ato të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, të cilët kanë shoqëruar disa persona të dyshuar, por nuk ka pasur informacion zyrtar për ndonjë të arrestuar. Më vonë, gruaja e grabitur ka marrë veten dhe tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ajo ka deklaruar për policinë se në çantë kishte rreth 100 mijë lekë dhe një celular, duke treguar edhe dyshimet e saj se kush mund të ishte grabitësi. Policia dyshon se grabitja është organizuar nga persona që i dinin lëvizjet e tregtares dhe që e kanë ruajtur atë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›