Aksidentet, tre të plagosur në Pogradec e Bilisht
Një fëmijë 8 vjeç është aksidentuar rëndë, ndërsa po kalonte më këmbë një kryqëzim në rrugën nacionale Korçë-Pogradec. Aksidenti ka ndodhur në kryqëzimin e Starovës, kur një veturë tip "Volkswagen" me targa PG0530B ka përplasur fëmijën, ndërsa lëvizte me shpejtësi në rrugë nacionale, në drejtim të qytetit të Pogradecit. Fëmija 8 vjeç, me inicialet E.A., ka qenë duke kaluar rrugën nga fshati Starovë për në fshatin Rrëmenj, kur në kryqëzim është përplasur nga makina që drejtohej prej Bejamin Çelës, 44 vjeç. Ekspertët e policisë, të cilët shkuan në vendin e ngjarjes, bënë të ditur se fëmija ka dalë në rrugë papritur, duke i ndërprerë lëvizjen mjetit. Ai është transportuar në spital nga 44-vjeçari dhe i është dhënë ndihma mjekësore. Ndërkohë, një tjetër aksident në unazën e qytetit të Bilishtit ka shkaktuar plagosjen e dy personave. Ylli Koruti, 38 vjeç dhe nëna e tij 67-vjeçare kanë pësuar dëmtime kur janë përplasur me një motor që drejtohej nga 38-vjeçari. Të dy të plagosurit kanë qenë duke udhëtuar me çiklomotorin e markës "Yamaha", i cili është përplasur në një grumbull rëre.
j.dh.
j.dh.