Plagosi dy veta me thikë, arrestohet
Një ngjarje e rëndë me plagosjen e dy të rinjve ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në rrethin e Lushnjës. Burimet zyrtare të policisë së këtij rrethi treguan se ngjarja ka ndodhur në fshatin Thanë të Komunës Fiershegan. Burimet e policisë bëjnë të ditur se ngjarja është njoftuar pas mbërritjes në spital të dy të plagosurve, të cilët janë Ervis Krasniqi dhe Andi Todi, 25 dhe 23 vjeç. Ata kanë qenë në një lokal të fshatit kur janë përplasur fillimisht me fjalë me 24-vjeçarin Ledion Toska. Sharjet midis të rinjve kanë zgjatur pak momente dhe të tre janë ngritur në këmbë për t‘u përplasur fizikisht, por Toska ka qenë i armatosur me një thikë dhe i ka dhënë fund shpejt sherrit, duke i plagosur të dy kundërshtarët e tij. Menjëherë kanë ndërhyrë banorë të fshatit që janë ndodhur pranë vendit të ngjarjes. Ata i kanë transportuar dy të plagosurit drejt spitalit të Lushnjës. Mjekët e këtij spitali thanë se Ervis Krasniqi ka qenë në rrezik për jetën deri mesditën e djeshme. Ai kishte humbur shumë gjak, ndërsa shoku i tij Andi Todi ishte plagosur lehtë. Pas marrjes së njoftimit policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka siguruar deklaratat e para. Më pas, policia ka bërë edhe ndalimin e autorit Ledion Toska, i cili është gjetur në banesën e tij. Toskës i është gjetur edhe thika me të cilin kreu plagosjen. Ai është shoqëruar për në mjediset e Komisariatit të Lushnjës, ku i janë komunikuar akuzat për "plagosje të rëndë me dashje" dhe "prishje të rendit dhe qetësisë publike".
Ma.Tr.
Ma.Tr.