Sherr për stekën, dy të plagosur në bilardo
Zihen për stekën e bilardos, mbeten të plagosur dy persona. Ngjarja ka ndodhur në orën 3.30 të mëngjesit të djeshëm në fshatin Zëmblak të Korçës. Një grup të rinjsh nga fshati kanë qenë duke luajtur bilardo në një nga lokalet, kur mes tyre ka nisur një sherr për stekën. Burimet e policisë kanë bërë të ditur se dy prej të rinjve janë plagosur me thikë, ndërsa autori është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është shpallur në kërkim. Nga hetimet ka rezultuar se të rinjtë luanin me para në një nga bilardot e fshatit. Por, ndërsa dy të dëmtuarit kanë qenë duke luajtur mes tyre, autori ka ndërhyrë dhe ka kërkuar ta vijojë ai lojën. Kaq ka mjaftuar që mes tyre të nisë sherri. Aldi Taho, 24 vjeç nga fshati Vranisht i Korçës, ka marrë një thikë në banakun e lokalit dhe ka plagosur dy djemtë që po luanin bilardo, pasi ata kanë refuzuar t‘i japin stekën. Policia ka bërë të ditur se ai ka qëlluar me thikë 21-vjeçarin P. Çeliku dhe shokun e tij 26 vjeç, E. Shaholli, të dy nga fshati Zëmblak. Të plagosurit janë dërguar me urgjencë drejt spitalit të Korçës me plagë të rënda. Aldi Taho është shpallur në kërkim për plagosje të rëndë me dashje, pasi ka kryer krimin dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
j.dh.
j.dh.