LSI: Të shpallet sa më shpejt rezultati i zgjedhjeve
Një ditë pas deklaratës së ambasadorëve të SHBA dhe BE, Lëvizja Socialiste për Integrim inkurajon për një proces ligjor të shpejtë për vlerësimin e ankesave dhe për shpalljen përfundimtare të rezultatit zgjedhor. Përmes një deklarate për mediat, kryetari i komitetit drejtues të LSI-së, Edmond Haxhinasto, theksoi se është e rëndësishme që “institucionet pjesëmarrëse në procesin zgjedhor duhet të kryejnë detyrat e tyre funksionale kushtetuese e ligjore në mënyrë të pavarur e të pandikuar nga presionet politike”. Përfaqësuesi i lartë i LSI-së u shpreh dje se një nga objektivat kryesore të legjislaturës së re, është përgatitja e një Kodi Zgjedhor që prodhon procese zgjedhore të pakontestueshme dhe sipas standardeve që na kualifikojnë si vend anëtar i Bashkimit Evropian.