Rama: Berisha po plaçkit me mandate të grabitura
Skandaloze dhe korruptive i ka komentuar kreu socialist Edi Rama, vendimet e një dite më parë në Këshillin e Rregullimit të Territorit nga kryeministri Berisha. Një ditë pas mbledhjes së KRRTRSH-së, numri një i selisë rozë komentoi disa leje ndërtimi jashtë vijës së verdhë të kryeqytetit që, sipas tij, janë më korruptivet në historinë e qeverisë. “Dje Sali Berisha vijoi shfaqjen e turpshme të abuzimit me pushtetin në KRRT-në e Republikës së Shqipërisë, duke vazhduar të shfaqë, ndoshta më hapur se asnjëherë më parë, karakterin e këtij pushteti që bashkon në mënyrën më të shëmtuar propagandën e shfrenuar, injorancën e vrazhdë dhe batakçillëkun e kudondodhur. Tirana, brenda vijës së saj të verdhë është rreth 3.500 hektarë, ndërkohë që dje KRRT-ja e Republikës ka dhënë në një pikë të vetme të rendit të ditës, një detyrë projektimi për ndërtime në një zonë prej 2750 hektarësh. Thuajse e gjitha fond toke bujqësore me një sipërfaqe të ndërtuar sa 80% e qytetit të Tiranës, në një territor që përfshin Bashkinë Vorë dhe komunat e Bërxullit e të Prezës. Vendimet e tjera do t’i trajtojmë në ditët në vijim, me bindjen e plotë se jo vetëm përbëjnë një prej akteve më të turpshme, më të papërgjegjshme, më abuzive në historinë aspak të lavdishme të qeverisjes së këtij vendi, por edhe se janë një arsye shumë e fortë për t’i rezistuar fuqishëm këtij klani në pushtet, i cili me mandatet e grabitura të 28 qershorit kërkon të plaçkitë të gjithë pasurinë e përbashkët të vendit tonë dhe ta kthejë përfundimisht Shqipërinë në një skemë të mbyllur ku fiton pushteti, pavarësisht si voton qytetari”, theksoi Rama. Referuar akuzave të herëpashershme të kësaj maxhorance, se kreu i bashkisë po ngushton sipërfaqet e gjelbëruara, Rama i kërkoi Berishës që në vend të këtyre vendimeve të miratonte pikërisht planin rregullues të Tiranës. “Ndërkohë që prej vitesh bën sikur u qan hallin banorëve të kryeqytetit për mungesë gjelbërimi, Sali Berisha ka bllokuar miratimin e Planit tonë të ri për Tiranën metropol dhe, me një tjetër të rënë të lapsit në KRRT-në e djeshme të Republikës, i grabit Tiranës së nesërme dhe fëmijëve të sotëm 75 hektarë gjelbërim të parashikuara në Planin e Ri Rregullues, si mushkëria e re e kryeqytetit të Shqipërisë”, u shpreh Rama.