Aksidentet, ulet niveli i dëmeve të paguara
Bie niveli i pagimit të dëmeve nga kompanitë e sigurimit. Sipas të dhënave më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) totali i dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimeve në 7-mujorin e parë te vitit 2008 ishte rreth 732 milionë lekë, ose 14.13 % më pak se në janar-korrik të vitit 2007. Kjo ulje në dëmet e paguara bruto ndihet në portofolin “Kartoni Jeshil” ku vihet re një ulje të dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimit me rreth 46.07 % dhe ulje të numrit të dëmeve të paguara me rreth 36.19 % krahasuar me 7-mujorin e parë të vitit 2007. Ndërsa përsa i përket të ardhurave këto muaj kanë qenë goxha të mbarë për kompanitë e sigurimit. Sipas të dhënave nga AMF në periudhën janar-korrik 2008 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 365,567, duke shënuar një rritje prej rreth 21.31 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Rritja e numrit të kontratave në 2008 u shoqërua me rritjen e vëllimit së të ardhurave nga primet. Primet e shkruara bruto të sigurimeve arritën në rreth 4,115 milionë lekë, shifër kjo 19.54% më e lartë se ajo e të njëjtës periudhë të vitit 2007. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 74.43% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 25.57%. Gjatë kësaj periudhe të vitit 2008, sigurimi i detyrueshëm vazhdoi të dominojë në tregun shqiptar, duke sjellë rreth 55.98 % së të ardhurave nga primet e shkruara bruto të sigurimeve.