E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi Zgjedhor, PS-PSD me koalicion të përbërë

 

Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj dhe kryetari socialdemokrat, Skënder Gjinushi janë takuar dje për të diskutuar rreth bashkëpunimit të tyre, në zgjedhjet e ardhshme dhe çështje të kodit të ri zgjedhor. Mësohet se të dyja palët kanë përqafuar idenë e koalicionit të përbërë, duke përbërë kështu dhe korrektimin e sistemit proporcional rajonal. Në këtë mënyrë, bëhet e mundur që votat e majta të vlerësohen maksimalisht. Por socialdemokratët në takim nuk kanë qenë dakord me idenë e socialistëve, që komisionet zgjedhore të jenë jo politike, pasi në kushtet e kësaj qeverisje, garancia për administrim dhe numërim të votave është mjaft e ulët. Pas takimit kryetarja e grupit socialist, Leskaj tha se “kemi diskutuar me PSD dhe kemi ndarë të njëjtat qëndrime kryesisht. Nuk është hera e parë që bashkëpunojmë në parlament dhe jashtë parlamentit. Për shumë pika të ndryshme të Kodit Elektoral kemi rënë dakord në mënyrë të veçantë, përsa i përket çështjes së koalicionit të përbërë”. Ndërsa kreu socialdemokrat, Gjinushi u shpreh se koalicioni i përbërë nuk është e vetmja zgjidhje për të korrektuar sistemin zgjedhor. “Ka edhe mënyra të tjera korrektimi, se sa hapësira i jepen hyrjes në koalicione të përbashkëta, por gjithnjë bëhet fjalë për koalicione që mbështeten mbi bazën e votës së çdo partie”, tha Gjinushi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›