“Vëllezërit Berisha po qeverisin”
Deputeti socialist Petro Koçi, akuzoi dje kreun socialist se po bashkëqeveris me Kryeministrin Berisha. “Në kushtet e krijuara pas sanksionimit të bashkëqeverisjes së vendit prej vëllezërve Berisha, jo vetëm në aktin e privatizimit të Kushtetutës me 21 prill, por edhe me grabitjen e territorit publik të mbi e nëntokës, socialistët e vërtetë në LSI, PS, PSD, PDS etj., duhet të bashkohen për të fituar zgjedhjet e ardhshme. Socialistët nëpërmjet këtij bashkimi do ta nxjerrin opozitën nga kapja dhe pushteti i vëllezërve Berisha. Socialistët nuk mund të vijnë në pushtet pa e nxjerrë opozitën nga pushteti i Kryeministrit dhe vëllait të tij në PS”, tha Koçi. Me këto veprime të kryetarit socialist, sipas Koçit, PS është kthyer në një shtojcë të PD-së. “Shitja e Gërdecit, e Kushtetutës, e trojeve të ndërtimit, etj., e kanë kthyer një pjesë të opozitës në shtojcë të PD-së. Shtatori është muaji parlamentar e politik i fillimit të shërimit moral, organizativ e institucional të socialistëve të vërtetë në LSI, PS, PSD e PDS. Kjo do sjellë fitoren”, tha Koçi.