E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentet, vdes 60-vjeçari i paidentifikuar, një tjetër rëndë në spital



Tiranë – Një person humbi jetën dhe një tjetër u plagos rëndë në dy aksidente të ndryshme në kryeqytet. Burime policore thanë për gazetën se mesnatën e së dielës brenda dhjetë minutash, në afërsi të Unazës së Re, dy automjete kanë shkaktuar aksidente të rënda. Të njëjtat burime saktësuan se mjetet e përfshira në aksidente u larguan nga vendi i ngjarjes. Sipas policisë, Agim Shehu, 50 vjeç, u godit rëndë në afërsi të Shkollës Teknologjike dhe është në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Pak minuta më pas, një tjetër automjet i paidentifikuar përplasi në tokë një 60-vjeçar, duke e lënë të vdekur në vend. Viktima, e cila u dërgua në morg, ende nuk është identifikuar nga policia, e cila ka ngritur postblloqet dhe po punon për gjetjen e dy automjeteve që shkaktuan aksidentet.

Kimikatet dhe municionet luftarake kërcënojnë Fierin

Fier - Kjo deklaratë alarmante ka ardhur nga Komisioni i Emergjencave Civile në Prefekturën e Fierit, përgjegjësi i së cilës deklaron se Fieri është i rrezikuar nga 20 tonë municione që ndodhen ende të depozituara në Repartin Ushtarak të Grizës, në afërsi të Patosit, si dhe nga një sasi e madhe lëndësh kimike që ndodhen në ish-Uzinën e Azotikut, në periferi të Fierit. Një material të detajuar për rreziqet që i kanosen Fierit, Komisioni i Emergjencave Civile ia ka përcjellë prefektit Bejdaj. Ky i fundit pohon se për këtë rrezik ka vënë në dijeni instancat më të larta shtetërore, qeverinë dhe Parlamentin. Në depot e municionit në fshatin Grizë, nga 2300 tonë municione janë larguar 90 për qind e sasisë dhe kanë mbetur 20 tonë, që janë municione të mbledhura pas vitit 1997 dhe që pritet të largohen ose asgjësohen se afërmi. Duhet thënë se ka një sasi të madhe municionesh që paraqesin rrezik gjatë transportit, ndaj është parë e arsyeshme që ato të asgjësohen në vend. “Ky aksion do të realizohet nga specialistë të fushës së demontimit, si dhe nën masa të rrepta sigurie teknike”, - tha prefekti i Fierit, Shahin Bejdaj.

10 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›