Policia ndalon gjashtë persona, ishin të dyshuar për vjedhje
Tiranë – Uniformat blu të kryeqytetit kanë vënë në pranga disa persona të dyshuar për vjedhje. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bënë me dije se në pranga kanë rënë gjashtë persona, ndërsa që njëri prej tyre, i mituri Markelian C., është lënë i lirë. Sipas policisë, oficerët e Sektorit të Parandalimit të Krimit pranë Komisariatit të Policisë Nr. 1, dy ditë më parë kanë kryer arrestimin në flagrancë të Altin Zerollarit, 22 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tij u krye pasi është kapur në flagrancë në fshatin Mushqeta, duke tentuar të vjedhë një transformator në pronësi të qytetarit H. C. I sipërpërmenduri ka tentuar të kryejë vjedhjen në bashkëpunim me S. M. dhe R. L., që janë shpallur në kërkim nga policia. Po kështu, uniformat blu të Komisariatit Nr. 5 kanë kryer arrestimin në flagrancë të F. S., 17 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje; Xh. B., 15 vjeç, lindur dhe banues në Kamzë; Sh. H., 16 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Arrestimi i F. S. u bë pasi ka thyer masën e sigurisë “arrest shtëpie” që dha Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë më 26 nëntor 2008, ndërsa Xh. B., 15 vjeç, lindur dhe banues në Kamzë dhe Sh. H., 16 vjeç, u kapën pasi akuzohen se kanë vjedhur 2 900 lekë në çantën e qytetares K. S. Ndërkaq, specialistët e Seksionit të Posaçëm kundër Vjedhjeve të Automjeteve kanë kryer arrestimin në flagrancë të Taulant Turkut, 37 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tij u krye pasi pranë Poliklinikës Nr. 5 është kapur në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit Nr. 3, duke tentuar të vjedhë automjetin tip “Benz”, me ngjyrë blu, me targa TR 2843 K, në pronësi të K. H. Po nga specialistët e Seksionit të posaçëm kundër Vjedhjeve të Tjera është kapur në flagrancë, duke tentuar të vjedhë banesën e B. M., i mituri M. C., 12 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Tiranë.
E përplasi autovetura, përfundon në gjendje të rëndë në spital
Kurbin – Udhëtonte me një motor pa targa, por papritur e ka parë veten në kanal, pasi një makinë që vinte pas tij e ka përplasur. Ky ka qenë fati i Gentian Prengës, i cili sipas policisë është aksidentuar dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin e Laçit. Pas aksidentit, forcat policore të Kurbinit kanë mundur të arrestojnë në flagrancë shtetasin Bledar Kuraj, lindur në Tropojë dhe banues në Kamzë. Arrestimi i tij u krye pasi në rrugën automobilistike Fushë- Krujë–Kurbin, pranë karburantit “Alpet”, në vendin e quajtur Derven, duke udhëtuar me mjetin e tij tip “Opel”, me targa TR 5205 M, ka aksidentuar shtetasin Prenga, i cili po udhëtonte me një motor pa targa. Kuraj akuzohet për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, parashikuar nga Neni 290 i Kodit Penal.
Mbante Canabis me vete, arrestohet
Durrës – Ndoshta e kishte konsideruar si sasi të paktë, por kanë qenë të mjaftueshëm 460 gr Canabis, që i mbante me vete, për t’i hedhur prangat. Sipas burimeve policore të Durrësit, posaçërisht për agjencinë e lajmeve NOA, ato kanë mundësuar dje kapjen në flagrancë të shtetasit Arian Sallaku, i lindur në vitin 1975 dhe banues në Manëz të Durrësit. Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e policisë, atij iu gjet një sasi prej 459.35 gr bimë narkotike e llojit Canabis sativa, të cilën ky shtetas e kishte për shitje. Sasia në fjalë iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale për veprën penale “Trafikim të lëndëve narkotike”, të parashikuar nga Neni 283/a i Kodit Penal.
10 Shkurt 2009