E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Brendshme “rreh gjoksin” për raportin e SHBA-ve për trafikun njerëzor

Një vit më parë, ky raport e kritikoi ashpër qeverinë për rolin e saj pasiv.

Habjon Hasani

Tiranë - Këtë vit, Ministria e Brendshme është krenuar me raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikimin e qenieve njerëzore. Ky raport deri dje nuk ka qenë në versionin e tij përfundimtar i disponueshëm nga mediat. E vetmja “gjurmë” e tij lidhet me deklaratën e posaçme të zëvendësministres së Brendshme, Iva Zajmi, e cila e konsideroi këtë raport si një vlerësim domethënës ndaj punës së intensifikuar së kësaj ministrie në këtë drejtim. “Të premten, datë 6 shkurt 2009, Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi në Kongresin Amerikan Raportin e Ndërmjetëm Vjetor për Trafikimin e Qenieve Njerëzore në Botë. Sipas Zajmit, raporti ka theksuar se: “Qeveria shqiptare ka bërë një progres të dukshëm në përpjekjet e saj për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore qysh prej daljes së Raportit 2008. Veçanërisht, ka demonstruar përmirësime rrënjësore në identifikimin e viktimave të trafikimit. Qeveria shqiptare gjithashtu ka rritur numrin e ndjekjeve penale dhe hetimeve, masat e dënimit të dhëna ndaj trafikantëve kanë qenë të duhura dhe të ashpra”.
Ndërhyrja
Zëvendësministrja e Brendshme, Zajmi, duke dashur të theksojë diferencën e këtij raporti me atë të një viti më parë, ka deklaruar se të gjitha vërejtjet e bëra një vit më parë janë reflektuar më së miri nga Ministria e Brendshme e, për pasojë, sipas Zajmit dhe ky raport ka pasur nota vlerësuese në përmbajtjen e tij. “Gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2008, qeveria intensifikoi përpjekjet për dhënien e trajnimeve për zyrtarë, duke përfshirë këtu dhe zhvillimin dhe dhënien e një kursi nga Policia Shqiptare e Shtetit. Veç kësaj, qeveria caktoi rreth 20 police femra antitrafik në drejtoritë kundër krimit të organizuar në të gjithë vendin. Zyrtarët punuan për përmirësimin e funksionimit të Mekanizmit Kombëtar të Referimit për Viktimat e Trafikimit, duke identifikuar të paktën pesë herë më shumë viktima se në vitin e kaluar, si dhe paraqiti bazën zyrtare të të dhënave, e cila mbledh informacion mbi menaxhimin e rasteve specifike të trafikimit. Qeveria ka rritur financimin e Qendrës Kombëtare të Pritjes së Viktimave me 16 për qind. Në korrik, qeveria aprovoi një strategji të re kombëtare për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, e cila është e mundshme për t’u aksesuar në uebsite-in e Ministrisë”, - tha Zajmi.
Raporti
Zëvendësministrja Zajmi ka deklaruar dje se qeveria e Shqipërisë i merr këto vlerësime të Departamentit të Shtetit si një mbështetje serioze për përpjekjet e saj për të reduktuar përmasat sociale, humane dhe ligjore të trafikimit në vend. “Qeveria e Shqipërisë shpreh me këtë rast edhe njëherë angazhimin e saj të plotë për të bërë gjithçka për të marrë në mbrojtje viktimat e trafikimit, për të parandaluar shfrytëzimin e personave vulnerabël si dhe për të ndëshkuar me drejtësi dhe rreptësi shfrytëzuesit e tyre. Në një shoqëri të zhvilluar nuk mund të ketë kompromis me shfrytëzimin dhe skllavërimin njerëzor”, - tha ajo. Duket se qeveria “është mbushur me frymë” pas këtij raporti të vitit 2009, ndërsa ai i një viti më parë theksonte se Shqipëria ka shënuar hapa pas në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore. Sipas raportit të vitit 2008, Shqipëria kishte rënë nën nivelin e vitit 2002. Për 6 vjet me radhë, vendi ynë renditej në kategorinë e dytë, ndërsa në vitin 2008 ajo u përfshi në listën e vendeve nën vëzhgim të kësaj kategorie.

Raporti i vitit 2008 kritikoi ashpër Qeverinë shqiptare

“Shqipëria është një vend origjine i trafikut të qenieve njerëzore, por nuk konsiderohet më si vend tranziti. Viktimat shqiptare trafikohen në Greqi, Itali, Maqedoni dhe Kosovë. Edhe fëmijët e mitur janë trafikuar në këto vende dhe përdoren për punë të zezë. Për t’u shënuar është rritja e trafikut të brendshëm të fëmijëve dhe femrave që përdoren për qëllime seksuale. Qeveria shqiptare nuk ka identifikuar ashtu siç duhet viktimat e trafikut gjatë vitit 2007. Ajo nuk ka treguar as gatishmëri për hetimin e zyrtarëve të implikuar. Rekomandimet tona janë që të hetojë e procedojë penalisht trafikantët e qenieve njerëzore si dhe zyrtarët e rendit që janë të implikuar në të. Këta persona duhet të dënohen me vendim gjykate. Kodi Penal shqiptar ka dënime shumë të ashpra për trafikantët e qenieve njerëzore dhe gjatë një viti janë proceduar për këtë vepër 49 raste. Nga këto janë dënuar vetëm shtatë. Gjatë periudhës së mbuluar, policia ka vazhduar të jetë shumë pak e trajnuar në lidhje me trafikimin. Ajo nuk ka as mjetet e duhura për të bërë një gjë të tillë ndërsa pengohet edhe nga korrupsioni dhe lëvizjet e shpeshta në polici. Gjatë këtij viti janë kryer vetëm trajnime për gjyqtarë dhe prokurorë e jo për policët. Sipas Qeverisë shqiptare, autoritetet identifikojnë si viktima të trafikut vetëm ato që identifikojnë veten e tyre me dëshirë si të tilla. Por për të njëjtën kohë OJF-të kanë raportuar 146 viktima të trafikut. Provat tregojnë se sistemi është i paefektshëm për viktimat e trafikut. Shumë viktima fëmijë, të cilët janë trafikuar nga prindërit e tyre, janë rikthyer sërish nga shteti tek po ata prindër në vend që të mbahen në qendra të veçanta”.

10 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›