Kosova e vendosur: Me Serbinë vetëm bisedime teknike
Blerina Olldashi
Për Kosovën statusi është çështje e mbyllur dhe nuk mund të rihapet kjo temë me autoritetet serbe. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj, bëri të ditur se Prishtina zyrtare është e gatshme për bisedime teknike me Beogradin, çka do të thotë se statusi tashmë është çështje e zgjidhur. Manaj u shpreh me këtë rast se qeveria kosovare ende nuk ka marrë ftesë për takim me palën serbe. Komentet e tij u bënë pas njoftimeve se UNMIK-u ka ftuar palën kosovare dhe atë serbe që të bisedojnë gjatë kësaj jave në Prishtinë, në nivel ekspertësh, për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe. Zëvendëskryeministri Manaj përsëriti qëndrimin e udhëheqjes kosovare se Kosova nuk hyn në bisedime me Serbinë nëse nuk garantohet statusi i barabartë. “Nuk mund të ketë as nuk mund të trajtohen ndryshe bisedimet Kosovë-Serbi, përveçse si dy shtete të pavarura dhe sovrane”, - tha Manaj. Nga ana tjetër, ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç, ka deklaruar se Beogradi me shqiptarët mund të bisedojë vetëm për çështjen e statusit të Kosovës, që sipas zyrtarëve serbë, mbetet ende një problem i hapur. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Rasëll Geki, ka sqaruar se zhvillimi i takimit Prishtinë-Beograd është nismë e UNESCO-s dhe e Këshillit të Europës, të cilat kanë kërkuar nga misioni i OKB-së që të organizojë këto bisedime. Përveç ekspertëve kosovarë dhe serbë në këtë takim të dy palëve do të marrin pjesë edhe zyrtarë të lartë të Këshillit të Europës, UNESCO-s, UNMIK-ut si dhe përfaqësues të misionit EULEX të Bashkimit Europian në Kosovë. Takimi i mundshëm i delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit këtë javë do të shënonte bisedimet e para ndërmjet palëve, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës një vit më parë. Disa ditë më parë, presidenti serb, Boris Tadiç, i njohur për idetë e tij më demokratike, u shpreh se ishte i gatshëm të bisedonte me autoritetet kosovare për çështje të përditshme, të cilat shqetësonin dy vendet fqinje. Por të tjerë përfaqësues të pushtetit serb kanë mbajtur qëndrimin e mëparshëm për të mos e njohur Kosovën shtet të pavarur dhe për këtë arsye bisedime me të mund të ketë vetëm për statusin.
10 Shkurt 2009