E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, miratohet buxheti i vitit 2009



Këshilli i Qarkut të Durrësit ka miratuar dje buxhetin e paraqitur për vitin 2009. Kryetari i këtij Këshilli, Seid Kërtusha, bëri të njohur se buxheti i vitit 2009 arrin në afro 164 milionë lekë, ose 48.6 milionë lekë më shumë se ai i vitit të kaluar. Kërtusha bën të ditur se rreth 73 milionë lekë janë nga granti i akorduar nga qeveria. Kurse të ardhurat e planifikuara parashikohet të arrijnë në shifrën 31 milionë lekë. Gjatë fjalës së tij Kërtusha nënvizoi se rreth 55.5 milionë lekë gjatë këtij viti do të jenë në dispozicion të investimeve, çka përbën një shifër 2.5 herë më të lartë se sa ajo e vitit të kaluar. “Synimi i Këshillit të Qarkut të Durrësit për këtë vit është vazhdimi i hartimit të politikave lokale dhe rajonale në funksion të zhvillimit, duke rritur, forcuar dhe kualifikuar kapacitetet administrative për përfitimin nga projektet vendase dhe të huaja”, - pohoi Kërtusha. Decentralizimi në fushën e arsimit dhe forcimi i arsimit profesional sipas kërkesave të kohës është, sipas kreut të Këshillit të Qarkut, një sfidë për vitin 2009. Duke folur për zhvillimin e rajonit gjatë vitit 2008, Kërtusha tha se Këshilli i Qarkut dhe KRRT-ja e tij kanë miratuar Masterlanin e Parkut Energjetik në Porto Romano; ndërtimin e fshatit turistik në Gjirin e Lalzit dhe fabrikës së çimentos “Antea Cement” dhe miratimin e zonave informale në ish-Kënetë, Shkozet dhe Rrashbull. Qarku i Durrësit përfshin rrethet e Durrësit dhe të Krujës, me një sipërfaqe të përgjithshme prej 766 km2. Në këtë qark përfshihet 62 km vijë bregdetare.

10 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›