E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli i Krimeve të Rënda lehtëson me 5 vite burg të pandehurit



Tiranë - Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda shpalli dje vendimin duke lehtësuar pesë të pandehurit nga Vlora, të akuzuar për “trafik lëndësh narkotike”. Në përfundim të arsyetimit të vendimit, paraqitjes së fakteve dhe provave që janë marrë nga togat e zeza, grupi i drogës së Vlorës u dënua në total me 40 vjet dhe gjashtë muaj burg. Gjykata dënoi me 9 vjet të pandehurin Kastriot Abazaj, një vit më pak Andrea Kutelajn, me nga 6 vjet e tetë muaj të pandehurit Valmir Likaj dhe Hysni Dervishaj. Për të pandehurin Aleks Hysaj, gjykata dha dënimin me 10 vjet, duke lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë. Pesë të pandehurit akuzohen se janë personat që do të trafikonin 710 kg hashash, i zbuluar në Depot e Valimidhit, në bregdetin e Karaburunit. Droga ishte gjetur e braktisur tre muaj para arrestimit të tyre, teksa ishte bërë gati për ta dërguar drejt brigjeve italiane. Fillimisht është arrestuar pronari i sasisë së drogës, i cili gjatë hetimeve ka zbardhur edhe emrat e pesë bashkëpunëtorëve të tij, të cilët do të mundësonin trafikimin e drogës drejt Italisë. Për gjykatën, të pandehurit janë shpallur fajtorë si rezultat i provave të ardhura nga organi i akuzës dhe nga përgjimet e bëra. Ndërsa për të zbardhur të gjithë ngjarjen kanë folur dy prej të pandehurve. Valmir Likaj 20 vjeç dhe Hysni Dervishaj 22 vjeç janë dy emrat që kanë pranuar të flasin dhe të japin konkluzione para akuzës. Rrëfimi i dy të rinjve ka zbuluar skemën e organizimit të trafikut të drogës. Ndërsa tre të pandehurit e tjerë nuk kanë pranuar të flasin. Hetimi për këtë grup kriminal ka filluar në muajin qershor 2007, muaj ky që shënon edhe bllokimin e gomones në Gadishullin e Karaburunit. Ekspertët shprehen se u janë dashur tre muaj e gjysmë hetim për të zbardhur këtë vepër penale, e cila për kohë të tëra ishte pa autorë. Prokuroria paraqiti në gjykatë prova, si psh gjurmë gishtash të të arrestuarve. Sipas gjykatës, droga do të nisej drejt Italisë me skaf.

Reshjet krijojnë probleme në Lezhë dhe në Kukës

LEZHË- Reshjet e shumta të rëna pasditen e së dielës kanë shkaktuar probleme serioze në rrugët e qytetit të Lezhës. Kanë mjaftuar vetëm 20 minuta reshje të dendura shiu shoqëruar edhe me breshër që qyteti i Lezhës të përmbytej sërish. Në përmbytjen e rrugëve të qytetit krahas reshjeve ka ndikuar edhe bllokimi i kanalizimeve dhe pusetave. Edhe në fshatrat përreth Lezhës ka pasur probleme. Në fshatin Ishull Lezhë janë krijuar probleme serioze për shkak të reshjeve të rëna pasditen e djeshme. Situata është tepër kritike veçanërisht në qendër. Mbi 50 shtëpi si dhe Shkolla e Mesme e Bashkuar janë të rrethuara totalisht nga uji. Banorët shprehen se nëse ky problem nuk do të marrë zgjidhje, ata do të protestojnë duke bllokuar edhe rrugën nacionale. Situata vazhdon të jetë tepër alarmante, ndonëse reshjet kanë pushuar. Nuk ka kaluar as një muaj nga hera e fundit që dëbora mbuloi rrethin e Kukësit dhe Veriun e vendit, por dje ato kanë rinisur. Natën e kaluar, përreth tri orë, Rrethi i Kukësit u përfshi nga reshjet e dëborës, të cilat në lartësinë mbi 1000 m arritën trashësinë prej rreth 10 - 20 cm. Sipas përgjegjësit të Zyrës së Emergjencës Civile, Azem Tema, në Prefekturën e Kukësit reshjet e dëborës nuk kanë shkaktuar ndonjë vështirësi, ndonëse ato kanë përfshirë zonat e thella të Rrethit si: Grykë Cajën, Kalisin, Arrnin etj. Po ashtu vazhdon të jetë normale lëvizja e mjeteve në të gjitha akset rrugore të rrethit.

10 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›