E Shtunë, 31 Tetor 2026

I dha kopje studentit, Prokuroria heton në liri pedagogen

Mësimdhënësja u largua nga puna para dy javësh për shkelje të rregullores së universitetit. Prokuroria e heton në liri për veprën penale të shpërdorimit të detyrës

Dyshohet se i dha kopje studentit pa e menduar se ky veprim i jashtëligjshëm do t’i kushtonte edhe marrjen në përgjegjësi penale. Ngjarja ka ndodhur në Vlorë dhe është një nga rastet e rralla që një mësimdhënëse të akuzohet në këtë mënyrë për shpërdorim detyre. Burime policore saktësuan për gazetën “Albania” se një pedagoge e Fakultetit të Drejtësisë dhe Ekonomisë në universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës do të jetë tashmë pjesë e një hetimi të iniciuar nga Prokuroria e rrethit. V. D., prej mëse 10 vitesh pedagoge e biznes-turizmit në Universitetin e Vlorës, është larguar nga puna dy javë më parë për shkelje të rëndë të rregullores së universitetit. Por telashet e saj nuk përfundojnë këtu.
Hetimi
Burime nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë thanë për gazetën se hetimi ndaj saj po kryhet në gjendje të lirë. Të njëjtat burime saktësuan gjithashtu se ajo nuk i ka pranuar akuzat, ndërsa ka deklaruar se teza identike e gjetur studentit të saj gjatë provimit ishte e njëjta e dhënë disa kohë më parë në po të njëjtin provim. Deklaratat e pedagoges do të shqyrtohen me provat që Prokuroria ka në dispozicion për çështjen. Ky është rasti i parë, pas miratimit të rregullores dhe statutit të ri të universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, që një pedagoge hiqet nga puna për shkelje të rregullores dhe më tej çohet në Prokurori për shpërdorim detyre.
Shkarkimi
Propozimi për shkarkimin e pedagoges është bërë nga dekanati pak ditë para vendimit të marrë për largimin e saj nga puna. Shkak për largimin e V. D. nga radhët e akademikëve të Universitetit të Vlorës ka qenë dhënie e kopjes identike të provimit një studenti të saj, pikërisht një ditë pasi rektorati me vendim të senatit kishte urdhëruar sekretimin tërësor të fletoreve të provimit dhe tezave. Studenti është kapur me kopje identike të tezës së provimit e, për më tepër, të zgjidhur. Por s’ka mbaruar këtu, tashmë V. D. po përballet me Prokurorinë për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

10 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›