E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet, vdes emigranti dhe një 20-vjeçar

Gjirokastër-Librazhd

Një emigrant dhe një motoçiklist kanë qenë viktimat e dy aksidenteve automobilistike të ndodhura dje në Librazhd dhe Gjirokastër. Ngjarja e parë rrugore ka ndodhur dje në mesditë, rreth orës 12:10, në vendin e quajtur “Mulliri i Babait”, në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se viktima është Elton Baxhia, 31 vjeç, nga Patosi, i cili jetonte prej disa vitesh si emigrant në Greqi. Mësohet se emigrantin e ka zënë gjumi në timon dhe ka humbur kontrollin e automjetit. Për pasojë, automjeti me targa greke është përplasur dhe më pas ka rënë në një kanal të veshur me beton, duke shkaktuar vdekjen e drejtuesit. Ndërkohë në aksident ka mbetur i plagosur kunati i viktimës, Erlis Dauti, 18 vjeç, lindur dhe banues në Kukës. Aksidenti i dytë ka ndodhur në Dragostinj, të Rrethit të Librazhd. Erjon Vrioni, 20 vjeç, nga Shijaku ka humbur jetën aksidentalisht, pasi është përplasur gjatë një gare me motorë. Sipas burimeve policore, mësohet se 20-vjeçari ka qenë pasagjer në motorin e drejtuar nga një shoku i tij, i cili gjatë garës ka humbur kontrollin dhe është përplasur me dy motoçikleta. I riu është dërguar për në spital, por çdo përpjekje ka qenë e kotë, pasi ai ka ndërruar jetë nga plagët e rënda.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›