E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagos të atin, nuk i jepte pjesë nga shtëpia e përbashkët

Fier Ndarja e pasurisë, shkak i konfliktit. Policia në kërkim të autorit, prangos bashkëpunëtorin e tij

Konflikti për pronat, për pak ka shkaktuar një tragjedi familjare në Rrethin e Fierit. Djali ka plagosur me armë zjarri të atin për pronësinë e shtëpisë së përbashkët, ndërkohë që policia ende nuk ka mundur ta prangosë. Ngjarja ka ndodhur dje në mëngjes në fshatin Suk, të Komunës Strum në Rrethin e Fierit. Debatet mes Ali Metushit, 57 vjeç, dhe djalit të tij, Dashamir Metushi, 40 vjeç, kanë nisur kohë më parë. Mësohet se shkak ka qenë banesa e përbashkët ku jetonin atë e bir me familjet e tyre, që shpeshherë çonte në debate dy familjarët. “Edhe herë të tjera, debatet kanë përfunduar me fjalë të rënda deri dhe me lëndime të lehta të të dyja palëve”, pohojnë për gazetën “Shqip” banorë të fshatit Suk. Ali Metushi është martuar dy herë dhe nga martesa e parë pati një djalë, Dashamirin. Dy familjet kanë më shumë se 15 vjet që bashkëjetojnë në të njëjtën godinë. Disa herë, mes babait dhe të birit janë zhvilluar bisedime lidhur një ndarje të mundshme të banesës. Po sipas banorëve të fshatit, mësohet se bashkëshortja e dytë e Aliut ka ndikuar negativisht në ndarjen e banesës dhe si rrjedhojë ka çuar në rritjen e hendekut mes babait dhe djalit. Një javë më parë, Dashamiri tentoi të bashkëbisedojë me të atin dhe njerkën, por ka përfunduar në sherr. Paraditen e së shtunës në bisedë e sipër, Dashamir Metushi arrin të qëllojë me mjete të forta dhe me grushte të atin. Më pas, me ndihmën e djalit të tezes, Elidon Rruçaj, ka qëlluar me pistoletë në drejtim të të atit. Dy bashkëpunëtorët janë larguar nga banesa, ndërkohë që 57-vjeçari Ali Metushi është transportuar për në spitalin rajonal të Fierit. Mjekët shprehen se Ali Metushi ka disa hetoma në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa plumbi e ka prekur në pjesën e nyjës së shpatullës. Ai i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale dhe ndodhet ende nën kujdesin e mjekëve, të cilët shprehen se është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq zëdhënësja e Policisë së Qarkut të Fierit, Valbona Meço, shprehet për “Shqip” se uniformat blu kanë arrestuar në orën 11:00, rreth dy orë pas ngjarjes Elidon Rruçaj, 31 vjeç, lindur e banues në Suk, si dhe ka shpallur në kërkim Dashamir Metushin, djalin e të plagosurit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›