Kapet ndërmjetësi për eurot false të Granitit
Arrestohet personi i 14 për eurot false. Kapja e tij është bërë dje paradite pas 15-katëshit në Tiranë, pasi dyshohet se ishte pika kryesore e kontaktit mes maqedonasve, kosovarit dhe shqiptarëve të arrestuar. Burimet policore bënë të ditur se në vazhdim të operacionit “Graniti”, në pranga ka përfunduar edhe Hazir Maçi. Ai u kap pranë stacionit të autobusëve të Kosovës, por me vete nuk i janë gjetur euro false. Gjatë operacionit, ai kishte mundur të largohej, por dje i është bashkuar grupit. Nga hetimet e kryera rezultoi se grupi kriminal drejtohej nga shtetasi kosovar, Avni Hajrullau, dhe shtetasi maqedonas Kemal Rexhepi, si dhe ndërmjetësi në Shqipëri ishte Hazir Maçi. Policia shpjegoi se eurot merreshin nga Rexhepi, i cili nga Maqedonia i transportonte drejt Tiranës. Në momentin e arrestimit, 35 mijë euro u kapën në një lokal te stadiumi “Qemal Stafa”. Ndërsa 38 mijë euro iu kapën dy maqedonasve, të cilët po vinin nga Elbasani në drejtim të Tiranës.
#