Kapen 70 kilogramë kanabis, pranga transportuesit
Uniformat blu të Delvinës kanë bërë bllokimin e 70 kilogramëve kanabis, ndërkohë që është prangosur korrieri. Burimet zyrtare nga Komisariati i Delvinës bëjnë të ditur se sasia e lëndës narkotike është sekuestruar dje në mesditë, në Komunën e Vergoit të nënprefekturës së Delvinës. Lënda narkotike u gjet e sistemuar në bagazhin e një automjeti me targa DL 26 99 A, i cili drejtohej nga Ndriçim Roboçi, 24 vjeç. Dyshohet se droga vinte nga Lazarati dhe kishte për destinacion Greqisë. Policia ka prangosur transportuesin, ndërkohë që ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale drogën dhe sasinë e drogës. Materialet i kanë kaluar organeve kompetente, ndërkohë që po punohet nëse ka persona të tjerë të përfshirë në trafik. Aksioni i antidrogës është finalizuar vetëm pak ditë pas takimit të nënprefektit të Sarandës me shefat e komisariateve të policisë së rendit e të kufirit në Sarandë e Delvinë, ku u kërkua që të intensifikohet puna parandaluese, si për kultivimin, edhe për trafikimin e lëndëve narkotike.
#