Tre marinarë të Brustel lënë anijen, nis kthimi për në atdhe
Tre marinarë të anijes shqiptare “Brustel” marrin rrugën e kthimit për në atdhe. Mekaniku i tretë, Arian Domi, kuzhinieri Kastriot Abazaj, kanë lënë dje pasdite anijen që vazhdon të qëndrojë e ankoruar në portin e Misuratës në Libi, për të shkuar në Aeroportin e Tripolit e udhëtuar drejt Shqipërisë. Ndërsa marinari Juriges Omari, do të fluturojë sot për në Shqipëri, për shkak të një ndryshimi në biletë.
Pas shumë muajsh në det dhe loje nervash, rruga e kthimit duket më pranë se kurrë. Kapitenit të anijes, Armando Ulqinaku, i është kërkuar të caktojë tre personat e parë që do të kthehen dhe pas diskutimeve me ekuipazhin është vendosur që të kthehen Abazaj, gruaja e të cilit këto ditë duhej që t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale, Domi dhe Omari. Dy prej atyre që janë përfshirë në udhëtimin e parë të kthimit janë pjesë e të akuzuarve nga pronari i anijes, për cenim imazhi, mashtrim dhe dëmtim të pronës nga pakujdesia, ndërsa marinari Juriges Omari, pavarësisht se nuk është përfshirë në to, bëhet e ditur se është nga pjesëtarët e ekuipazhit që ka kërkuar shumë herët dhe me insistim kthimin pranë familjes. Ndërkaq për tre pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit, përfshirë dhe kapitenin Ulqinaku, u është thënë se do të fluturojnë drejt Rinasit ditën e martë, ndonëse asgjë nuk është e sigurt për ta. Duket se ndarja e marinarëve që do të kthehen është bërë deri në pritje të ekuipazhit tjetër, që do të zëvendësojë këta që po largohen. Përtej të qenit nën akuzë, familjarët i presin me padurim njerëzit e tyre. Pas treshes së parë, pritet që të kthehen kapiteni Armando Ulqinaku, motoristi i parë, Avni çeka, dhe motoristi i dytë, Mehmet Sylhasanaj. Ndërkohë, sipas burimeve nga anija “Brustel” dhe familjarë të marinarëve, dhe pjesëtarë të tjerë të ekuipazhit, të cilët nuk janë nën akuzë, duan të kthehen për t’i dhënë fund vështirësive të një lundrimi të gjatë, që po mbush gati një vit e ende nuk po mbaron.
Që nga fillimi i këtij viti, marinarët shqiptarë dergjen në ujërat afrikane, pa mundur as të nisin lundrimin dhe as të kthehen të detyruar fillimisht nga likuiditetet e pashlyera e më pas problemet teknike në anije dhe marrëdhënia jokorrekte me pronarin. Kapiteni dhe një pjesë e ekuipazhit nuk kanë marrë prej muajsh rrogat mujore, ndërsa gjatë qëndrimit të detyruar në Libi janë detyruar t’u kërkojnë familjarëve që t’u dërgojnë para për të mbuluar nevojat e përditshme. Të vetmit që mundën të riatdhesohen pas publikimit të situatës në media qenë marinari që humbi të shoqen, ndërsa anija ishte e bllokuar nga agjencia libiane, për mosshlyerjen e detyrimeve, si dhe më pas një tjetër marinar nga Durrësi, bashkëshortja e të cilit ishte e sëmurë. Të tjerët, me gjithë kërkesat e vazhdueshme, nuk mundën ta sigurojnë riatdhesimin dhe u detyruan të kërkojnë ndihmë në Ministrinë e Jashtme, e cila ndërhyn dhe i kërkon pronarit të paguajë biletat e kthimit për ekuipazhin. Anija “Brustel”, pronë e kompanisë “Bruno sh.p.k”, ishte nisur nga Shqipëria me destinacion Nigerinë dhe pas një lundrimi aspak të lehtë, mbërrin atje, ndërsa telashet e vërteta nisën në muajin janar, kur agjencia libiane e kontaktit bllokon daljen nga porti, si dhe furnizimin e ekuipazhit për shkak të borxheve. Agjencia nuk pranonte as riatdhesimin e marinarëve, pa u shlyer borxhet nga pronari i anijes. Që nga ai moment kanë rrjedhur shumë ujëra dhe situata duket e rënduar mes ekuipazhit dhe pronarit të anijes. “Pasi u dhanë dy data dhe orë udhëtimi drejt Rinasit, të cilat rezultuan të pavërteta dhe marinarët u ndien të mashtruar sërish, ashtu si dhe ne, familjarët që i presim, të shtunën janë nisur tre prej tyre. Për të tjerët është thënë se do të nisen ditën e martë. Të presim”, thotë një nga familjarët e kapitenit të anijes, duke shpresuar se këtë herë, rruga e kthimit është hapur vërtet.
#