E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentet, vdes një, dy plagosen

 

DELVINE/ MAMURRAS – Një person humbi jetën dhe dy të tjerë u plagosën ditën e djeshme në aksidente të rënda rrugore. Një prej tyre u shënua mëngjesin e djeshëm në Mamurras, në superstradën Fushë Krujë-Lezhë, ndërsa tjetri në afërsi të Delvinës. Mark Koka mësohet se po kthehej nga puna si roje nate në një pikë karburanti, kur motoçikleta e tij u përplas me një kamionçinë, që i preu papritur rrugën. Si pasojë, Koka, nga fshati Thumanë i Krujës u plagos rëndë, duke përfunduar në spital në gjendje kritike për jetën. Një viktimë u regjistrua në mesditë në rrugën nacionale që lidh Sarandën me Delvinën. Në afërsi të fshatit Bamatat, vetura “Benz” me targë GJ 4004 B, drejtuar nga Asqeri Çako u përplas me një kamion me targë të Sarandës, drejtuar nga 29-vjeçari Emiliano Murataj. Burime të policisë pohuan se vetura ishte me shpejtësi, kur papritur ka prerë rrugën e mjetit të tonazhit të rëndë. Nga përplasja e fortë ka humbur jetën në vend pasagjeri Endri Merkaj, 34 vjeç, ndërsa shoferi 28-vjeçar është në gjendje të rëndë. Policia shoqëroi drejtuesit e mjeteve, deri në zbardhjen e shkaqeve të aksidenteve.                                                                               sh.d/r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›