Ina Rama: S‘u nxituam, me serbët zbatuam vetëm ligjin
TIRANE – Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, reagoi dje pas pretendimeve të prokurorit serb për krimet e luftës, Vladimir Vukçeviç, duke thënë se ka zbatuar vetëm ligjet në qëndrimin e mbajtur ndaj kërkesës për hetime lidhur me trafikun e organeve. Pas deklaratave të prokurorit serb, që e cilësoi të nxituar qëndrimin e mbajtur nga Ina Rama në takimin e pak ditëve më parë, Kryeprokurorja shqiptare deklaroi dje se në këtë rast ka zbatuar vetëm ligjet dhe Kushtetutën e vendit. “Refuzimi për hetime nga Prokuroria serbe nuk është aspak i nxituar, por i bazuar në ligjet dhe Kushtetutën e vendit”, thanë burimet zyrtare nga organi qendror i akuzës në Tiranë. Ky institucion tha dje se është i hapur për hetime dhe bashkëpunim me prokurorët e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për krime të luftës në ish-Jugosllavi, por jo për pretendime politike nga pala serbe. Prokuroria e Përgjithshme në Tiranë deklaroi edhe njëherë se çështja e pretenduar në një libër letrar të Karla del Pontes, është hetuar në vitin 2005 nga 14 hetues të Hagës, që nuk gjetën asnjë provë për vërtetësinë e akuzave të pretenduara në mënyrë letrare nga ish-kryeprokurorja e Hagës, Del Ponte.