E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafik armësh me postë, 10 vjet burg

 

TIRANE - I solli pistoletat me postë nga Holanda dhe tashmë rrezikon 10 vjet burg. Prokuroria për Krimet e Rënda kërkoi dje këtë masë dënimi për Agim Shëngjonin, të akuzuar për “trafik të armëve dhe municioneve”. Në seancën e djeshme, prokurori i çështjes lexoi përpara trupit gjykues konkluzionet përfundimtare të dosjes. Përfaqësuesi i akuzës tregoi gjithë kronologjinë e zbulimit të pistoletave në pakon postare, dorëzimin e kontrolluar të saj e deri tek arrestimi nga policia të Shëngjonit. Sipas Prokurorisë, pas vitit 1998 Shëngjoni kishte udhëtuar në disa shtete të Evropës si emigrant ilegal. Gjatë qëndrimit të tij në Holandë ai kishte përdorur disa emra të rremë për të fshehur veprimtaritë e tij të jashtëligjshme. Në përfundim akuza kërkoi 10 vjet heqje lirie për të pandehurin. Agim Shëngjoni u arrestua në 18 prill të këtij viti nga policia e Elbasanit, teksa ishte duke marrë në postë një pako që vinte nga Holanda, brenda së cilës ishin 3 pistoleta dhe disa fishekë. Në kërkesën për gjykim për këtë çështje, organi i akuzës pohonte se pakoja ishte nisur prej vetë Shëngjonit nga Holanda, por me një emër tjetër. Aktualisht Shëngjoni është një person nën hetim edhe nga drejtësia belge, për akuzën e “vjedhjes”.         ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›