“Ushtari” i Lul Berishës në gjyq për trafik prostitucioni
Indrit Taullai, shoku i Lul Berishës dhe ndër të vetmit anëtar të bandës që i qëndroi besnik deri në fund, do të gjykohet në qytetin e tij nën akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit. Prokuroria e Durrësit pohoi dje se ka dërguar në gjykatë dosjen penale në ngarkim të Taullait, i cili dyshohet se ka shfrytëzuar si prostitutë Jahon në qytetin e Durrësit. Sipas aktakuzës që ndodhet në dosjen që është dërguar për gjykim, Jaho e ka denoncuar Taullain se e ka shfrytëzuar si prostitutë. Hetimi ka përfunduar pak ditë më parë, ndërsa pohohet se i është komunikuar edhe Taullait, i cili ndodhet i paraburgosur në kryeqytet dhe po gjykohet te Krimet e Rënda për një sërë krimesh të ndodhur në Tiranë dhe Durrës gjatë viteve 1998 deri në 2006, kohë gjatë së cilës ky akuzohet të jetë përfshirë në bandën që drejtohej nga Berisha. Dosja e re gjyqësore në ngarkim të Indrit Taullait është dërguar në Gjykatën e Durrësit, e cila ka kompetencën për shqyrtimin e kësaj çështjeje. Tashmë Taullait do t’i duhet të përballet edhe me procesin e ri, por ende nuk dihet nëse do paraqitet vetë apo do ngarkojë ndonjë avokat për ta përfaqësuar në mungesë. Të paktën në procesin gjyqësor që po zhvillohet te Krimet e Rënda në ngarkim të të akuzuarve si anëtarë të bandës së Durrësit, Jaho pritet të pyetet si dëshmitare. Prokuroria e Krimeve të Rënda pohon se disa vjet më parë, Indrit Taullai dhe Endrit Dokle pas arrestimit të Klodian Saliut, i cili tashmë është vrarë, kanë rrëmbyer Valbona Jahon dhe e kanë mbajtur peng për një periudhë 18-mujore, me qëllimin që ajo të mos dëshmonte në gjyq kundër Saliut. Në lidhje me këtë ngjarje, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur akuzën ndaj Dokles dhe Taullait “rrëmbim dhe mbajtjes peng të personit” parashikuar nga neni 109 i Kodit Penal. Indrit Taullai është i fundmi nga anëtarët e bandës së Durrësit që ka rënë në pranga. Ai u arrestua nga policia e kryeqytetit më 29 korrik të vitit të kaluar, pasi fshihej në një banesë në rrugën “Sulejman Pasha”, e marrë me qira që nga viti 2003 nga Fiorentina Kotorri, e dashura e Lulëzim Berishës. Në momentin që ka ndërhyrë policia e ka arrestuar Taullain në shoqërinë e një femre, ndërsa i ka gjetur atij një pistoletë dhe një pasaportë shqiptare me emrin fals Benjamin Sylaj. Taullai është dënuar për këto akuza, ndërsa Kotorri për “përkrahje të autorit të krimit”. re.kr