Shpërthimi, plagoset kinezi
FUSHE-KRUJE/ ROLAND NIKOLLI
Shpërthimi në fabrikën e çimentos në Borizanë të Fushë-Krujës i rrezikon jetën një punëtori kinez.Ngjarja ka ndodhur gjatë procesit për zgjerimin e territorit të fabrikës në ndërtim, por një pakujdesi e treguar ka sjellë plagosjen e rëndë të 34-vjeçarit Xheng Uling. Burime zyrtare të policisë së Krujës, pohuan dje se shpërthimi ndodhi në ambientet e fabrikës së çimentos “Titan”, punimet e së cilës u inauguruan pak javë më parë. Rreth orës 14:00, një firmë shqiptare që ka fituar të drejtën për të hapur frontin e punës ka provokuar shpërthimin e gurëve, të cilët nuk mund të largoheshin me anë të makinerive. Sapo ka dëgjuar shpërthimin e eksplozivit, punëtori kinez ka tentuar të fshihet për të mos u prekur nga ndonjë gur. Në ato momente ai ndodhej mbi një skelë, rreth 4 metra të lartë dhe duke mos gjetur zgjidhje tjetër u hodh prej saj. Nga rënia ai ka përfunduar mbi disa gurë, duke pësuar fraktura të shumta, por më rëndë në këmbën e djathtë. Pas aksidentit punëtori kinez është dërguar menjëherë në spitalin ushtarak në Tiranë, ku ndodhet jashtë rreziku për jetën. Menjëherë pas ngjarjes, një grup ekspertësh nga policia e Krujës kanë mbërritur në vend, për të zbardhur shkaqet e saj. Burime zyrtare të policisë së Krujës bënë të ditur se janë shoqëruar menjëherë në polici, presidenti i firmës shqiptare, që kishte fituar tenderin dhe po kryente punimet për hapjen e frontit të punës si dhe specialisti i shpërthimeve, të cilët po merren në pyetje nga ana e hetuesve. Hetimet mësohet se po drejtohen nga ana e Prokurorisë së Rrethit Krujë, ndërkohë që deri mbrëmë nuk bëhej fjalë për ndonjë urdhër-arresti përveç shoqërimeve. Ndaj presidentit të firmës “SHPK Karaj” dhe drejtuesit teknik të punimeve është ngritur akuza e “moszbatimit të rregullave të sigurimit teknik në punë të punëtorëve”. Sipas burimeve zyrtare të policisë, bëhet e ditur se punimet për ngritjen e fabrikës “Titan”, po bëhen nga ana e punëtorëve kinezë, ndërsa hapja e frontit të punës prej firmës shqiptare. Kjo e fundit po merret kryesisht me shpërthimet prej tre muajsh. Fabrika e çimentos “Titan” është vetëm 3 km larg Komunës së Thumanës ndërkohë, që ka pak muaj që ka nisur investimi për ngritjen e saj, ku parashikohet të punësohen 400 vetë.