Aksidentet, vdesin dy persona dhe plagoset një tjetër
Dy persona kanë gjetur vdekjen dhe një tjetër është plagosur nga aksidentet rrugore në Tiranë. E diela është përgjakur në tre raste, ndërkohë që policia rrugore ka arrestuar dy nga autorët dhe ka dërguar për ndjekje penale një tjetër person. Burimet policore bënë të ditur se në orën 04:00 të së dielës u arrestua Fjorin Avni Vishe, 23 vjeç, banues në Sauk, sepse në orën 18:00, në Sauk, duke drejtuar motoçikletën "Jamaha", me targë TR421C, ka humbur drejtimin e lëvizjes. Për pasojë, pasagjeri Alban Hajrulla Rama, 17 vjeç, banues në Tiranë, është rrëzuar në pjesën ballore të mjetit "Mercedes Benz", me targë TR4065I, me drejtues Kujtim Hysni Balin, 46 vjeç. Nga kjo përplasje u aksidentua rëndë dhe vdiq 23-vjeçari Vishe. Ndërkohë, në orën 23:45 së të dielës, u arrestua Luan Myslim Gjuzi, 49 vjeç, banues në Tiranë, sepse në orën 19:55, në autostradën Vorë-Tiranë, duke drejtuar mjetin "Mercedes Benz", me targë TR2274F, ka aksidentuar me vdekje, këmbësoren Liljana Dëfrim Çeka, 11 vjeçe, banuese në Marqinet. Gjithashtu, policia tha se filloi procedimi penal në gjendje të lirë për Matild Ramiz Leksinajn, 24 vjeç, banues në Kamzë. Ky person, në orën 16:00, te Kthesa e Kamzës, duke drejtuar mjetin "Mercedes Benz", me targë TR6101F, ka aksidentuar Artan Milsin Biçakun, 31 vjeç, banues në Sauk, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.