E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria prapëson dy nigerianë me "letra" angleze

Dy nigerianë janë zbuluar dje në Rinas, teksa tentonin të kalonin kufirin me pasaporta të falsifikuara. Duke u pajisur me pasaporta britanike, ata kanë tentuar të kalojnë nëpërmjet territorit shqiptar për të shkuar në Angli, por janë zbuluar dhe janë prapësuar për në Turqi. Policia deklaroi se i ka prapësuar në Turqi, pasi ky është vendi, nga i cili ata vinin. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit bënë të ditur se në kuadër të masave të marrave për garantimin e një shërbimi cilësor për qytetarët vendas dhe të huaj në Pikat e Kalimit Kufitar, si dhe për forcimin e kontrolleve, nga strukturat e Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Tiranë, përkatësisht nga Komisariati i Rinasit është bërë prapësimi në kufi i dy shtetasve të huaj, të cilët posedonin pasaportë të falsifikuar. Pikërisht dy ditë më parë, kanë tentuar të hyjnë në vendin tonë dy shtetas me kombësi nigeriane. "Adekunle Stephen Adeniyi, 44 vjeçe, e cila është paraqitur me emrin Colins George Morris, me pasaportë të falsifikuar angleze dhe Adams Ashmichael Iloba, 17 vjeç, i cili është paraqitur me emrin Alexander David Akintola. Të dy udhëtonin me dokumente false", tha policia. Sipas të dhënave, këta dy persona kishin mbërritur në Shqipëri me linjë ajrore nga Turqia dhe pas konstatimit nga shërbimet e antitrafikut në Komisariatit e Rinasit, se pasaportat në përdorim prej tyre ishin të falsifikuara, ata janë prapësuar në kufi. "Përzënia" e tyre është bërë bazuar në ligjin "Për të Huajt".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›