Interpol ekstradon dy shqiptarë të dënuar me nga 10 vjet burg
Dy persona të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare janë ekstraduar dje nga Greqia. Dritan Ziu dhe Marjol Brisku janë sjellë nga Interpol-Tirana në Shqipëri, pasi kërkohen përkatësisht për vrasje të mbetur në tentativë dhe për vjedhje me armë. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit bënë të ditur se Dritan Ziu, 39 vjeç, lindur dhe banues në Fier, u ekstradua, pasi Gjykata e këtij qyteti e ka dënuar me dhjetë vite burg. Sipas dosjes hetimore, pikërisht më 9 janar të vitit 2003, Gjykata e ka dënuar me burg për kryerjen e veprës penale të "vrasjes me dashje e mbetur në tentativë dhe armë mbajtje pa leje". Sipas vendimit të Gjykatës, në datën 2 prill të vitit 2001, në fshatin Petrovë të Fierit, Dritan Ziu, gjatë një grindjeje me Fatos Buzon, i ka drejtuar armën e zjarrit, që e mbante pa leje. Në këtë moment, një person tjetër, shok i Ziut, i është afruar këtij të fundit duke i ulur tytën e automatikut, çka ka sjellë për pasojë shkrehjen e armës në tokë, duke shmangur vrasjen e Fatos Buzit. Ndërkohë i ekstraduar tjetër nga Greqia është Marjol Brisku, 28 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan. Sipas dosjes penale, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, më datë 25 maj të vitit 2000 e ka dënuar me 10 vjet burgim për veprën penale të "vjedhjes me armë, e kryer në bashkëpunim". Sipas vendimit të gjykatës, më 2 tetor të vitit 1999, rreth orës 22:00, në fshatin Xhafzotaj të Durrësit, Marjol Brisku, në bashkëpunim me Elton Morisenin, nën kërcënimin e një automatiku kanë vjedhur automjetin "Mercedez Benz", me targa LU1927, në pronësi të Klement Ahmetit. Këta dy persona, sapo janë sjellë në aeroportin e Rinasit, i janë dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.