Kapen me motobarkë 30 klandestinë shqiptarë
Një motobarkë me 30 klandestinë shqiptarë ka mbërritur mëngjesin e djeshëm në Itali, në bregun e Foggias. Policia italiane ka bërë të ditur se emigrantët klandestinë janë kosovarë dhe shqiptarë, të cilët kanë mbërritur në një varkë me vela, 13 metra të gjatë. Ata janë bllokuar nga Guardia di Financa, te vendi i quajtur Gargano. Guardia di Financa deklaroi për mediat e vendit fqinj se e ka parë dhe ndjekur varkën me vela, ku u gjetën dhe klandestinët. Në bord ndodheshin, një grua, shtatzënë në muajin e tretë, si dhe pjesa tjetër të gjithë djem të rinj. Barka është dërguar në Manfredonia. Gruaja e gjetur është dërguar për në spital, për t‘u vënë nën kontrollin e mjekëve. Ndërkohë që tre prej të tjerëve, janë vënë në pranga, pasi dyshohet se janë organizatorët dhe drejtuesit e rrjetit. Policia nuk ka bërë të ditur vendin nga është nisur barka me vela. Nga ana tjetër, pala italiane ka vënë në dijeni edhe palën shqiptare, atë malazeze për këtë rast trafiku. Sipas të dhënave, po punohet për identifikimin dhe kapjen e organizatorëve të trafikut të klandestinëve.