Vlorë, digjet makina e policit të burgut
Automjeti i një polici të Drejtorisë së Burgjeve është shkrumbuar nga flakët, ndërsa ende mbeten të paqarta motivet dhe autorët. Sipas policisë së Vlorës, në orën 05:00 të mëngjesit të djeshëm, në lagjen "Pavarësia" të qytetit është gjetur një automjet i djegur, i cili ka qenë i parkuar. Nga veprimet e para hetimore të kryera në vendngjarje, rezultoi se rreth orës 04:00 të mëngjesit, persona të paidentifikuar i kanë vënë zjarrin automjetit tip "Isuzu", me targa VL 0491 C, i cili është djegur plotësisht, duke përdorur për këtë qëllim një shishe me lëndë djegëse, e cila ka rezultuar të jetë benzinë. Ekspertët kanë marrë në vend gjithë provat e mbetura dhe kanë pyetur për këtë edhe pronarin e mjetit, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, por mësohet se është efektiv i Drejtorisë së Burgjeve në Vlorë. Nga të dhënat e marra rezulton që polici të mos ketë pasur konflikte të njohura, por kjo nuk ka përjashtuar pistën e hakmarrjes për shkak të detyrës. Akti i është referuar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Vlorës për veprën penale të shkatërrimit të pronës me zjarr.