E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenton të vjedh lokalin, arrestohet nga policia

Tenton të vjedh në lokalin e bashkëqytetarit, por kapet nga policia pa arritur të realizojë qëllimin e tij. Ngjarja ka ndodhur në mbrëmjen e së dielës në lagjen "11 Janari", të qytetit të Kuçovës. Burimet policore bëjnë me dije se Endrit Dajko është kapur në flagrancë, rreth orës 22:00, ndërsa tentonte të vidhte në një lokal në qendër të kësaj lagjeje. Po sipas të njëjtave burime ka qenë patrulla e policisë, që ka pikasur 25-vjeçarin Dajko, ndërsa tentonte të vidhte pronën e vëllezërve Agron dhe Hysen Hajdari. Zhurmat jo të zakonshme, që janë dëgjuar nga ambientet e lokalit, kanë tërhequr vëmendjen e punonjësve të policisë, ndërsa lokali ishte mbyllur. Kanë qenë pikërisht këta të fundit që kanë arritur të zbulojnë në kohë vjedhjen nga ana e 25-vjeçarit. I riu mësohet se kishte arritur të futej në ambientet e brendshme të lokalit me anë të thyerjes dhe në kohën që ka dashur të realizojë vjedhjen është bllokuar nga forcat policore të Kuçovës. Në vendin e ngjarjes më pas kanë mbërritur ekspertët e policisë që kanë kryer veprimet e para. Ata deklaruan arrestimin e 25-vjeçarit, banor i këtij qyteti, i cili do të përballet me akuzën "vjedhje të mbetur në tentative", parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›