E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti; Avaria, tre punëtorë aksidentohen në furrat e shkrirjes

Një aksident në punë ka ndodhur paraditen e djeshme në furrat e shkrirjes të firmës ruso-austriake “Albania Chrome” (ACR ) në qytetin e Elbasanit. Tre punëtorë kanë mbetur të plagosur me djegie në pjesë të ndryshme të trupit teksa po punonin në furrat e shkrirjes. Tre të plagosurit Aqif Pepa, Mehmet Serica, Luan Jaupi u shtruan menjëherë në spitalin rajonal të Elbasanit ku dhe iu nënshtruan ndihmës së mjekëve. Metalurgët kanë qenë duke punuar në repartin e shkrirjes së ferro-kromit, në turnin e tretë, kur një kovë e rëndë me ferro-krom të shkrirë është derdhur teksa transportohej horizontalisht në një lartësi jo më shumë se 5 metra. Sipas burimeve, copëza të llavës së mineralit gjatë përplasjes në tokë u kanë rënë tre punëtorëve në pjesë të ndryshme të trupit. Djegia ka qenë e menjëhershme, edhe pse metalurgët ishin të veshur me rroba zjarrduruese. Sipas mjekëve, të tre metalurgët i janë nënshtruar një kure intensive dhe aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Sipas mjekëve, punëtorët kanë shenja djegieje në pjesë të ndryshme të trupit. Policia, e cila mbërriti menjëherë në vendngjarje, ka marrë në pyetje drejtues të firmës, punëtorë të ndryshëm, por edhe tre të plagosurit rreth ngjarjes. Ndërkohë që policia ende po punon për të sqaruar rrethanat e këtij aksidenti. Sipas të dhënave të para, dyshohet se mund të ketë pasur një avari në furrat e shkrirjes së kësaj firme. Ndërkohë, policia dhe firma nuk kanë dhënë më tepër detaje në lidhje me këtë ngjarje. Ky është rasti i dytë i shpërthimit të furrave të shkrirjes për këtë vit në Elbasan, pas 14 janarit, ku humbi jetën një person dhe u plagosën 9 të tjerë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›