E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masa; Akuzohet për vrasje me dashje, Manushaj pohon krimin

“Vrasje me dashje” është akuza që rëndon mbi Gentian Manushajn, 25 vjeç, i arrestuar katër ditë më parë si i dyshuar për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se ai do të hetohet nga prokuroria për këtë vepër penale, ndërkohë që dje i është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” nga Gjykata e Tiranës. Sipas burimeve nga gjykata, i pandehuri Manushaj ka pranuar autorësinë e krimit para togave të zeza, por, pa dhënë shpjegime pse e ka kryer, ndërkohë që avokatja e tij Pustina shprehet se klienti i saj është i sëmurë mendor dhe me me kartelë, ndaj nuk duhen marrë parasysh deklarimet e tij. Akuza e ngritur ndaj 25-vjeçarit është bërë e ditur nga burime pranë grupit hetimor të ngritur në Prokurorinë e Tiranës për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Gentian Manushaj, banues në Tiranë, u arrestua si autor i dyshuar i vrasjes me sende të forta të shtetasit Dritan Bekteshi, 25 vjeç. Ngjarja ndodhi katër ditë më parë në rrugën “Myslym Keta” në kryeqytet. Viktima, fillimisht ishte e paidentifikuar dhe u desh ca kohë derisa policia mbërriti në identitetin e tij. Madje, hetimet e para folën edhe për gjetjen pa jetë të një endacaku, por të gjitha këto u saktësuan më pas, nga hetimet dhe dëshmitë e rastit. Sipas të dhënave hetimore, mendohet se motivi i kësaj vrasjeje të jetë një konflikt mes viktimës dhe autorit për posedimin e një aparati celular.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›