Emërimi; Valmir Nikolli komandohet si shef qarkullimi në vend të Ahmetit
Valmir Nikolli komandohet si shef i ri i qarkullimit rrugor për kryeqytetin në vend të krymekomisar Krenar Ahmetit. Nikolli do të drejtojë qarkullimin rrugor për Tiranën derisa nga ana e organit të akuzës të zgjidhet çështja e Ahmetit, i cili u pezullua pak kohë më parë nga detyra me vendim të Gjykatës së Tiranës, ndërkohë që vendimi është apeluar dhe pritet të shqyrtohet në ditët në vazhdim nga Gjykata e Apelit. Emërimi përkohësisht si i komanduar në këtë detyrë i është komunikuar Nikollit dje nga drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, pasi prej më se një jave qarkullimi rrugor i kryeqytetit ishte pa një drejtues. Pezullimi nga detyra për drejtuesin e mëparshëm Ahmeti u bë pas depozitimit të tre kallëzimeve penale kundrejt tij nga tre shtetas, dy prej të cilëve bashkëshortë, një prokurore e Krimeve të Rënda dhe një avokat. Masa e pezullimit nga detyra u kërkua nga organi i akuzës, me qëllim marrjen nën hetim të kryekomisar Ahmetit. Një masë e tillë e vendosur nga gjykata solli reagimin e menjëhershëm të Ministrisë së Brendshme, madje vetë ministrit Nishani me një letër drejtuar gjyqtares Majlinda Doga. Sipas ministrit, Ahmeti dhe punonjësit e policisë rrugore në këtë rast kanë qenë të dëmtuarit dhe jo prokurorja dhe burri i saj, ndërkohë që këtij reagimi iu përgjigj me një kundërreagim shoqata e avokatëve.