E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e emigrantit Ndocaj, si u bë sipërmarrës në Itali

Nga zbarkimi me gomone në drejtimin e tri ndërmarrjeve ndërtimi që u japin punë 60 punonjësve. Në më pak se 12 vjet, Eduart Ndocaj ka ndryshuar rrënjësisht jetën e tij. Nga klandestin i dëshpëruar që ia besonte fatin e tij detit, në sipërmarrës të suksesshëm për të cilin sot punojnë punonjës nga çdo kombësi, përfshirë dhe italianë. Është dikush që mund të thotë fare mirë që ia doli mbanë, shumë më tepër se të tjerë që mund të kenë pasur kushtet e fillimit shumë më të mira se të tijat. Është 32 vjeç, i martuar e baba i tre fëmijëve, jeton në Solaro në një vilë poshtë së cilës ka zyrat qendrore të ndërmarrjeve të tij. Një zyrë e rregulluar mirë, ku në sfond është flamuri i vendit të tij, me shqiponjën e zezë në sfondin e kuq, fotografi të familjes, të miqve dhe ndërtimeve të tij, të gjitha gjërat për të cilat është veçanërisht krenar.

Mbërritja

Kur mbërriti në Itali përmes detit Adriatik natën me gomone, nuk kishte asgjë, përveç forcës së 20 vjetëve të tij. Por, dhe një dëshirë të madhe për të punuar me objektivin për të fituar e jetuar ndershmërisht. Ishte korriku i 1996-ës e Eduarti filloi aventurën e tij italiane nga Brindizi, si mijëra bashkatdhetarë të tij. "Jam nisur pasi nuk kisha asgjë me idenë për të shkuar në një vend ku gjendet gjithçka, nuk mendoja për rrezikun. Ishim 40 veta mbi gomone, kemi qenë për orë mes jetës dhe vdekjes", - thotë. Sot është i lumtur, ndihet me shumë fat, është i kënaqur nga jeta e tij, dhe pse thotë "ndoshta po të kthehesha mbrapsht në kohë, nuk do të bëja atë që kam bërë. Sepse të kesh pak në shtëpinë tënde është gjithmonë më mirë se të kesh shumë në shtëpinë e të tjerëve".

Mirënjohja

Gjithsesi, ndaj italianëve ndihet shumë mirënjohës. "Italianët janë një popull bujar e mikpritës, - nënvizon - kam ndier poshtërim dhe racizëm ndonjëherë, por nga një pjesë shumë e vogël e këtij populli, që në pjesën më të madhe është i përbërë nga njerëz shumë të mirë". Të parët që ka takuar janë banorë të Brindizit e përreth. “Na kanë ndihmuar për t'u nisur për në veri që ishte dhe qëllimi ynë, unë kisha një motër në Milano kështu një krevat për të fjetur e pak ushqim të ngrohtë të sigurt për në mbrëmje. Për katër muaj kam qenë pa punë, megjithëse kërkoja gjithë ditën. Pastaj më mori me vete një sipërmarrës ndërtimi kalabrez nga Senago, si punëtor, një njeri shumë i mirë e bujar që e falënderoj përherë. Mua më ka pëlqyer përherë të punoja në ndërtim. Pas 4 vjetësh vendosa të dal më vete e të kisha një ndërmarrje timen. Kam qenë patjetër i ndihmuar nga fati, por kam qenë dhe i shtyrë nga një forcë e madhe vullneti. Unë kam menduar gjithmonë se në jetë çdokush duhet të ketë atë që meriton e jo më shumë, për këtë jam përqendruar gjithmonë në punë, kam dashur të respektoj edukatën që kam marrë nga familja”.

Sugjerimi

Vëllait më të vogël të mbetur në Shqipëri nuk ia këshillon të largohet me gomone e kur diskutohet mbi klandestinitetin thotë i sigurt: “Është vetëm çështje e disa viteve e pastaj kufijtë në Evropë nuk do të llogariten më, do të mbetet vetëm dëshira për të punuar e për të qenë të ndershëm”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›