E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplaset maunja me autobusin e turistëve, 1 i vdekur

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një 37-vjeçari ka përgjakur në orët e para të mëngjesit aksin rrugor Librazhd – Përrenjas, në vendin e quajtur Hotolisht. Një maune është përplasur me një autobus me turistë nga Mali i Zi, të cilët ishin duke u kthyer nga Maqedonia. Si pasojë e përplasjes së dy automjeteve, maunja e drejtuar nga 37-vjeçari Mulaj ka dalë nga rruga dhe për pasojë ka humbur jetën drejtuesi i saj. Burime zyrtare të policisë bënë të ditur se ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 01:00 të mëngjesit, kur një autoveturë tip “Benz” me targa TR 6369 E, me drejtues shtetasin Laze Mulaj, 37 vjeç, lindur e banues në Tropojë, është përplasur me autobusin me turistë nga Mali i Zi, me targa KO 28479. Si pasojë e kësaj përplasjeje, ka gjetur vdekjen e menjëhershme shoferi i mjetit tip “Benz”, 37-vjeçari Laze Mulaj. Policia e ardhur menjëherë në vendin e ngjarjes ka shoqëruar për në komisariatin e policisë së Librazhdit tre shtetas nga Mali i Zi, shoferin, pronarin e autobusit si dhe fatorinon, të cilët janë marrë në pyetje në lidhje me aksidentin me pasojë një të vdekur. Ndërsa, nga të njëjtat burime zyrtare, mësohet se turistëve u është vënë në dispozicion një tjetër autobus për t’i dërguar ata në destinacion. Gjithashtu, bëhet e ditur se si pasojë e aksidentit të ndodhur, për rreth 3 orë aksi rrugor Librazhd – Hotolisht u bllokua, dhe vetëm rreth orës 04:00 qarkullimi i mjeteve ka qenë i lirshëm. Paraprakisht, nga të dhënat e para hetimore, grupi hetimor i ndodhur në vendin e ngjarjes konkludon se shkak i aksidentit me pasojë vdekjen e 37-vjeçarit ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara nga autobusi i turistëve të Malit të Zi, të cilët ktheheshin nga Shkupi i Maqedonisë. Sipas burimeve nga grupi i ekspertëve të ndodhur në vendngjarje, automjeti i drejtuar nga viktima Mulaj është qëlluar nga autobusi në një kthesë të këtij aksi rrugor nga pjesa e mesit të autobusit, duke i shkaktuar maunes daljen nga rruga dhe për pasojë, vdekjen e drejtuesit.

Detaje

1 i vdekur nga përplasja e autobusit me turistë me maunen me targa të Tiranës

3 janë personat e shoqëruar nga policia për aksidentin në aksin rrugor Librazhd – Përrenjas

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›