Policia; Brenda dy javëve u ekstraduan 5 persona të shumëkërkuar
Pesë persona të shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare për vepra të rënda penale, mes tyre vrasje dhe rrëmbim personi, janë ekstraduar gjatë 15 ditëve të fundit nga Interpol Tirana. Një nga këta persona është arrestuar nga autoritetet amerikane, ndërkohë që katër të tjerët janë kapur në Itali, falë bashkëpunimit me strukturat policore shqiptare. Ata janë sjellë në vendin tonë për t'u përballur me drejtësinë për krimet që akuzohen se kanë kryer. Falë bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe homologes së saj në Itali, është bërë i mundur ekstradimi nga shteti fqinj i shtetasve Juraldo Dida nga Lezha dhe Dhimitri Xhallo nga Përmeti, në kërkim përkatësisht për “plagosje të rëndë me dashje” dhe “rrëmbim personi në bashkëpunim”. Po ashtu, nga Italia u ekstraduan edhe shtetasit Petrit Osmeni nga Fieri dhe Arben Gjokeja, nga Kruja, të cilët ishin shpallur në kërkim konkretisht për “marrëdhënie seksuale me dhune” dhe “vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose me shume personave”. Ndërkohë, hetuesit kriminalë të Policisë së Emigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE) dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, ekstraduan në Shqipëri për t'u përballur me drejtësinë shtetasin Fatjon Stërkaj nga Tirana, i dënuar në mungesë me 10 vjet heqje lirie, për veprën penale të “vjedhjes me armë” e kryer në bashkëpunim.