Itali, shkatërrohet banda e grabitjes së 138 vilave
Në dy vjet kanë realizuar 138 grabitje në gjithë Piemonten. Shënjestra e preferuar për grabitësit, sipas burimeve policore italiane, të cilët vepronin gjithmonë natën, ishin vilat ku pronarët gjendeshin gjithmonë në gjumë, të cilët në rastet më të shumta, i rrihnin kafshërisht, madje duke i kërcënuar se do t’i vrisnin me armët që kishin me vete. Rastet e vjedhjeve dhe personave të arrestuar për to sa vijnë e shtohen. Fillimisht, ishin vetëm 6 persona, ndërsa tashmë numri ka shkuar në 15 persona, të gjithë shtetas italianë dhe shqiptarë. Ka qenë mjaft e vështirë të biesh në gjurmë të tyre për shkak të mënyrës së specializuar në grabitje. Por, nuk qe e pamundur. Ata që mundën të identifikojnë këtë grup keqbërësish ishin karabinierët e provincës në Torino, të cilët kanë shkatërruar këtë bandë italo-shqiptare të specializuar në fakt për grabitjen e vilave dhe shtëpive të izoluara. Gjatë muajit janar, 6 komponentë të bandës u arrestuan pasi kishin vënë në shenjë dhe grabitën 52 vila dhe në atë rast karabinierët mundën të rikuperonin disa nga gjërat e vjedhura, 7 automjete të cilindrit të madh, ora, byzylykë floriri, telefona celularë, videotelefona, videokamera, aparatë fotografikë dixhitalë, dekoder dixhitalë tokësorë, lexues DV e navigues satelitorë, të gjitha këto me një vlerë totale 300 mijë euro. Tashmë nga hetimet ka rezultuar se banda ka mundur të shenjojë, kryesisht nga viti 2006 e deri në vitin 2008, edhe 86 supergoditje të tjera, duke arritur në total 138 grabitje në gjithë Piemonten. Por, thuhet se numri i të ndaluarve pritet të rritet. Janë denoncuar dhe pritet të arrestohen edhe 11 persona të tjerë.
Detaje
15 janë pjesëtarët e bandës italo-shqiptare të grabitjes së vilave
138 janë vilat dhe shtëpitë e izoluara të grabitura nga grupi i specializuar
2 vjet kanë zgjatur hetimet për zbardhjen e vjedhjeve të grupit
300 mijë euro është vlera e mallit të vjedhur të rikuperuar nga karabinierët