E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet i treti i trafikut të armëve

Kukës

Policia e Kukësit ka arrestuar të shtunën në mbrëmje shtetasin Forcim Onuzi nga fshati Nangë i Komunës Bicaj, pasi në një kontroll në banesën e tij iu gjetën një sasi municioni dhe lëndësh plasëse. Burime të komisariatit të këtij rrethi tregojnë se bëhet fjalë për 13 granata luftarake, dhjetëra fishekë pistolete, ndezës të ndryshëm etj. Ky arrestim lidhet me ndalimin një ditë më parë të dy shtetasve të tjerë për trafik armësh. Gjatë kontrollit të një furgoni pasagjerësh u gjetën 5 pistoleta” Zastava” dhe një çantë në të cilën ndodheshin 45 copë fishekë pistolete të kalibrit 6.35. Në fillim policia ka ndaluar shoferin, një 52-vjeçar nga Bicaj me akuzën e transportit të pistoletave, akuzë për të cilën pak orë më vonë arrestoi edhe të zotin e mallit, një 38-vjeçar nga Bushati. Për çështjen e municionit të gjetur në çantë, policia tha se kishte mësuar thjesht e kujt ishte çanta, pa bërë publike se çfarë u gjet. Më pas është bërë kontroll në banesën e tij, si dhe në lokalin privat në fshatin Nangë, ku janë gjetur municionet. Nëndrejtori i policisë, Xhafer Elezi, tha se operacioni për zbulimin e rrjetit të trafikut do të vazhdojë edhe në të ardhmen, ndërsa ndaj Onuzit, i arrestuari i tretë brenda 24 orëve, rëndon akuza e trafikut dhe mbajtjes së municioneve të paligjshme.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›