E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hidhet nga kati i 12 pas grindjes me të fejuarin

ELBASAN/ çifti martohej në mes të prillit. Policia arreston 25-vjeçarin, për të zbardhur motivet e ngjarjes së rëndë

Një 20-vjeçare është hedhur nga kati i 12 i një ndërtese, ndërsa ishte duke pirë kafe me të fejuarin e saj. Ngjarja ndodhi rreth orës 13:30 në rrugën “Ura e Zaranikës”, rreth 100 metra larg qendrës së qytetit të Elbasanit. Një çift nga fshatrat e Komunës së Gracenit, rreth 30 kilometra në veri të qytetit, kishte zbritur dje për të kaluar fundjavën në qytet. Bashkë kanë ardhur që nga fshatrat ku banonin, bashkë e pinë dhe kafen e fundit pa e ditur se ai çast do të ishte pragu i ndarjes së përjetshme. Ishin nga e njëjta komunë, por nga fshatra të ndryshëm, jo shumë larg njëri-tjetrit. Alma Karaj 20 vjeçe, ishte nga fshati Ulmë rreth 17 kilometra larg qendrës së Komunës së Gracenit. Ndërsa i fejuari i saj, Hekuran Hasa, 25 vjeç, është nga fshati Shëngjin rreth 12 kilometra larg qendrës së kësaj komune. Ishin prej dy vjetësh të fejuar dhe në mesin e muajit prill kishin caktuar edhe dasmën. Ndoshta, edhe për ndonjë stoli për këtë të fundit kishin zbritur në qytet. çifti në prag martese ka zgjedhur lokalin “Rosvelt”, kafe-verandën në katin e 12 për të kaluar kohën e lirë. Sipas dëshmitarëve okularë, djali kishte marrë një kafe, ndërsa vajza një lëng frutash. Nuk e ka pirë atë. Debati mes tyre herë-herë më zë të lartë, nuk e kishte zgjuar kureshtjen e shumë çifteve të tjerë në lokal. Mësohet se vajza, për një moment ka motivuar largimin e saj nga tavolina për të shkuar në tualet. Në pak sekonda, trupi i saj është parë të kapërcejë parmakët rrethues prej duralumini dhe ka fluturuar rreth 40 metra poshtë në trotuarin e rrugës. Ndërsa lart ka nisur paniku mes të pranishmëve në lokal, kjo ndjenjë më tepër është përjetuar nga kalimtarët e rastësishëm në dy anët e rrugës. Dikush ka mbuluar shpejt trupin e pajetë me një çarçaf të kuqërremtë dhe më pas aty ka mbërritur edhe policia. Policia ka shoqëruar për në komisariat të fejuarin e viktimës, pas marrjes së gjeneraliteteve dhe të së fejuarës. Rreth kufomës janë paraqitur ekspertë të policisë e specialistë të kriminalistikës e mjekësisë ligjore. Sipas burimeve paraprake të policisë hetimet kanë nisur në dy pista. E para, mendohet për motivet e debatit mes dy të rinjve dhe e dyta për marrëdhëniet ndërfamiljare të çiftit. Zyrtarisht, dje nuk është bërë asgjë publike rreth hetimeve. Pikë kyçe e hetimeve mbetet i fejuari i 25-vjeçar, i cili vetëm një muaj më parë ishte kthyer nga emigracioni. Kreu i Komunës Gracen, Fadil Salla, tha se djali jetonte prej vitesh në Itali dhe ishte kthyer për dasmën. Edhe babai i vajzës ishte emigrant në Itali.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›