Aksidenti, dy persona humbën jetën në rrugën Tiranë-Durrës
Durrës – Një aksident i rëndë ka ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës mëngjesin e djeshëm ku për pasojë humbën jetën dy persona. Sipas burimeve policore, ngjarja e rëndë ka ndodhur pikërisht pranë pikës së mbikalimit të Shën Vlashit dhe mësohet se shkak për të ka qenë shpejtësia e madhe e automjetit me të cilin udhëtonin 2 persona. Viktimat janë Altin dhe Valmira Dervishi, përkatësisht 33 dhe 25 vjeç, të cilët kanë humbur kontrollin e makinës me targa BV 3444 GZ nga shpejtësia e madhe dhe janë gjendur jashtë rruge, duke humbur jetën menjëherë. Policia ka shkuar në vendngjarje dhe është duke kryer hetimet përkatëse për të zbuluar më shumë se cilat mund të kenë qenë shkaqet e vërteta të aksidentit fatal.
Lushnjë, gardiania e burgut vetëvritet me armën e shërbimit
LUSHNJË- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e mbrëmjes së djeshme në qytetin e Lushnjës. Një grua 50-vjeçare është vetëvrarë me armë zjarri në banesën e saj. Burime policore thanë për gazetën “Albania” se 50-vjeçarja Myzejen Xheva punonte si gardiane në Burgut të Kosovës në Lushnjë. Gardiania 50-vjeçare dyshohet se është vetekzekutuar me armën e shërbimit. Ende nuk dihen shkaqet që e kanë çuar gardianen Xheva në vetëvrasje. Policia e Lushnjës po punon për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë.
22 Gusht 2009