E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sindikatat kundër qeverisë: “Nuk i japim pronat”



Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë ka reaguar dje kundër projektligjit të qeverisë që pritet të miratohet në parlament, sipas të cilit do të bëhet shtetëzimi i një pjese të pronave të sindikatave të Shqipërisë që Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ua ka dhënë në pronësi pretendentëve për pronarë. Pronat për të cilat bëhet fjalë janë objekte pushimi dhe truall turistik në zona bregdetare. Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, sipas ligjit 8340/1 të vitit 1998, është bërë pronare njëherë e përgjithmonë e 40 për qind të pronave të trashëguara nga ish-bashkimet profesionale. Aktualisht kjo sindikatë zotëron vetëm 13 për qind të këtyre pronave. “Sindikalistët e kanë fituar këtë pasuri që në vitin 1998”,- është shprehur Kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj. Ai e quan antidemokratik këtë veprim të qeverisë dhe thotë se nëse ky projektligj do të miratohet në parlament, menjëherë do të nisin procedura gjyqësore që do të shkojnë deri në Gjykatën e Strasburgut. Këto prona i janë dhënë në përdorim sindikatave nga vetë kryeministri Berisha në vitin 1992, kur ai ishte President i Republikës, me një dekret të posaçëm. Konfederata e Sindikalistëve ka në përdorim prona në të gjitha qytetet, përfshirë këtu edhe ato bregdetare.

22 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›