Mallrat e akcizës, mblidhen 2 miliardë lekë më pak nga karburantet
Doganat shqiptare nuk kanë mundur të plotësojnë planin për 6-mujorin e parë të vitit, ku shkak për këtë mangësi janë bërë evazioni dhe rritja e kontrabandës. Edhe pse në të dhënat zyrtare krerët e DPD-së janë munduar që të shmangin deficitin e thellë, përsëri mjaft mangësi shikohen sidomos në mallrat e akcizës, të cilat janë dhe zërat që sigurojnë më tepër të ardhura në arkën e doganave. Kontrabanda ka dëmtuar sidomos zërat më kryesorë si karburantet, kafenë dhe cigaret, prej të cilave doganat gjatë kësaj periudhe kanë arkëtuar më pak para nga plani prej zhdoganimeve. Përsa u përket karburanteve, edhe pse ka rritje të sasisë së zhdoganuar, ulja e çmimit ka ndikuar negativisht për administratën doganore. Treguesit e 6-mujorit paraqesin rënie të të ardhurave me rreth 2 miliardë lekë. Gjatë muajve janar-qershor 2009, nga zhdoganimi i naftës, Dogana arriti të sigurojë për buxhetin e shtetit në total rreth 10 miliardë e 680 milionë lekë. Si sasi janë zhdoganuar rreth 191 mijë tonë, ose rreth 8 mijë tonë më shumë. Si vlerë tregu, nafta është zhvlerësuar me rreth 5 miliardë lekë, duke i dhënë një goditje të fortë administratës doganore.
22 Gusht 2009