E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria në krizë për para, shtyn me dy muaj pagesën e lejeve dhe të pensioneve

Buxhetorët nuk do t’i marrin në kohë pagesat e lejeve të zakonshme dhe të lindjes

Ervin KOÇI

Mungesa e parave të mjaftueshme për të gjitha shpenzimet e ka detyruar qeverinë aktuale të shtrëngohet në dhënien e fondeve jo vetëm për investime, por edhe për pagesat e ndryshme për administratën publike. Një prej institucioneve që ditët e fundit ka hasur mungesën e parave dhe për pasojë ka bërë bllokimin e pagesave është dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore, i cili, me anë të një letre ka njoftuar institucionet shtetërore se do të vonojë pagesat e lejeve të ndryshme për buxhetorët. Sipas kësaj letre, të gjitha pagesat që mbulohen nga ISSH-ja, siç janë ato për lejet e lindjes, lejet e zakonshme, apo dhe shtesat suplementare në pensione, do të shtyhen pas muajit shtator. ISSH-ja, edhe pse nuk ka përcaktuar një datë të qartë se kur do të vijojë bërja e këtyre pagesave, me anë të letrës u ka kërkuar institucioneve publike që të mos bëjnë dorëzimin e formularëve për pagesat e lejeve të ndryshme të punonjësve të tyre. Nga sa mësohet, shkak për këtë ndërprerje apo shtyrje pagesash është bërë mosakordimi i fondit të duhur të parave nga ana e Ministrisë së Financave. Kështu, të gjitha pagesat e muajit korrik do të shtyhen për të paktën dy muaj, në një kohë që punonjësit e administratës dhe pensionistët duhet të presin për paratë e tyre deri sa qeveria të sigurojë paratë e duhura. Një problem i tillë (vonesat), pritet që të ndodhin pas muajit shtator edhe me të gjitha pagat e administratës publike si dhe me pensionet, kjo për shkak se buxheti i shtetit është bosh dhe qeveria nuk po arkëton deri tani asnjë prej fonde që ka llogaritur në mbledhë. Sipas ekspertëve të ekonomisë, kriza e mungesës së likuiditetit do t’i japë efektet e saj pas muajit shtator duke e detyruar qeverinë në marrjen e borxheve (kredive) nga jashtë.

Mungesa e parave

Mungesa e parave në buxhetin e shtetit dhe vështirësia për sigurimin e tyre nga ana tjetër, po e çojnë qeverinë përballë disa zgjidhjeve të vështira. Në këtë situatë qeverisë shqiptare i kanë ardhur disa sugjerime nga drejtuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilët, edhe pse nuk kanë më forcën imponuese, e kanë dhënë në formën e këshillës. Sipas FMN-së, një zgjidhje oportune për të siguruar më shumë para për qeverinë, me qëllim që kjo e fundit të mos thellojë borxhin e jashtëm duke marrë kredi tregtare nga bankat e huaja, mbetet rritja e taksave dhe tatimeve si për bizneset, ashtu dhe për individët. Sipas FMN-së, një pjesë e madhe e kostove të krizës i është ngarkuar buxhetit të qeverisë për shkak të shpenzimeve të mëdha që ajo kreu për fushatën elektorale. Për rrjedhojë, deficiti buxhetor ka shënuar për këtë vit rekorde maksimale. Sipas FMN-së, qeveria është e detyruar të marrë masa drastike për të ribalancuar financat publike dhe në këtë pikë është i pashmangshëm rëndimi i barrës fiskale. Ekspertët e FMN-së vënë në dukje edhe një tjetër rrezik. Sipas tyre, vetë rritja ekonomike e vendit nuk është e sigurt, pasi deri tani ajo i dedikohet shpenzimeve marramendëse të qeverisë. Aktualisht mbikëqyrja e FMN-së ofron vlerësim të specializuar të zhvillimeve ekonomike dhe financiare rajonale.

Buxheti i ri

Pavarësisht deklaratave optimiste qeveritare, Ministria e Financave po bën gati ndryshimin e buxhetit. Ndryshe nga vitet e tjera, kur në shtator Kuvendi miratonte rritje të shpenzimeve, këtë vit qeveria do të sjellë në Kuvend një buxhet të ri, që “qeth” fort të gjithë zërat e investimeve në të gjitha ministritë. Ulja e të ardhurave dhe rritja e shpenzimeve për investime deri në fund të qershorit, kanë detyruar financat të propozojnë në qeveri rishikimin e shpenzimeve të buxhetit. E thënë më thjeshtë, qeveria nuk ka më para për të kryer investimet dhe shpenzimet që kishte parashikuar. Në këto kushte, dy janë rrugët. Ose të rritet borxhi dhe investimet të vazhdojnë, ose të ndalohen investimet. Duket se financat kanë gjetur si rrugë të parën. Në shtator, qeveria e re do të kërkojë votën e deputetëve për një rishikim në tkurrje të buxhetit. Sipas ekspertëve të ekonomisë, ky është efekt i drejtpërdrejtë i krizës financiare, që pavarësisht fjalëve, me vendime dhe shkresa zyrtare qeveria shqiptare e pranon.

Ministria e Financave e pranoi krizën që në korrik

Ministria e Financave e ka pranuar që në muajin korrik faktin se ekonomia shqiptare është ndikuar ndjeshëm nga kriza. Në relacionin që shoqëronte vendimin për pezullimin e tenderëve pas datës 3 gusht, theksohej qartë se arka e shtetit është varfëruar. “Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2009, sipas të dhënave operative të ardhurat e mbledhura nga tatimet e mbledhura nga tatimet e doganat, kanë pasur një mosrealizim rreth 5.4 për qind kundrejt planit të parashikuar në buxhetin e vitit 2009. Duke u mbështetur në treguesit ekonomikë afatshkurtër dhe pritshmëritë, parashikohet që edhe për gjysmën e dytë të këtij viti të ardhurat e buxhetit të shtetit të kenë një tkurrje në krahasim me planifikimin fillestar të tij pak a shumë në të njëjtat ritme. Nisur nga të dhënat paraprake të realizimit të të ardhurave për 6-mujorin e parë 2009, dhe të parashikimeve të përafërta për realizimin e pritshëm të tyre deri në fund të vitit, del e nevojshme kufizimi i menjëhershëm i shpenzimeve operative dhe kapitale”.

22 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›